Raundi i parafundit i ndeshjeve në grupe për eliminatoret e kampionatit europian 2020 vjen këtë të premte me 8 sfida shumë interesante të vlefshme për grupet D, F dhe J. Me Spanjën dhe Italinë që janë matematikisht të kualifikuara vëmendja më e madhe do të jetë te dueli i Zvicrës që në mbrëmje pret Gjeorgjinë në St Gallen. Një sukses do t’i ngjisë helvetët minimalisht në vendin e dytë të grupit A, pasi Danimarka ka një ndeshje të lehtë në letër ndaj Gjibraltarit. Kjo ndaj Gjoergjisë është ndeshja më delikate për skuadrën e Petkovic që sfidën e fundit në grup e ka ndaj Gjibraltarit. Me 2 fitore Zvicra do të kualifikohej zyrtarisht në Euro 2020 pavarsisht se çfarë do të ndodhë në takimet e tjera pasi e ka vetë në dorë fatin e saj. Zvicër-Gjeorgji do të transmetohet live në Supersport në orën 20:45. Takimi tjetër i grupit D është ai mes Danimarkës dhe Gjibraltarit ky fitorja për nordikët parashikohet thjeshtë një formalitet. Në grupin F, Spanja e kualifikuar pret në shtëpi Maltën ku synimi do të jetë një fitore me goleadë, ndërkohë sfida që përbën rëndësinë më të madhe është ajo mes Rumanisë dhe Suedisë. Këto dy kombëtare luftojnë për vendin e dytë dhe në Bukuresht parashikohet një duel zjarri.

Ballkanasit kanë një pikë më pak dhe vetëm fitorja i nxjerr para skandinavëve, prandaj Rumunia do të bëjë çmos sot për të marrë tre pikët, ndërkohë që Suedia pothuajse kualifikohet edhe me një barazim pasi ndryshe nga Rumania që luan në transfertë ndaj Spanjës ndeshjen e fundit në grup e ka ndaj Ishujve Faroe në shtëpi. Rumani-Suedi do të transmetohet gjithashtu live në Supersport në orën 20:45. Ndeshje të lehtë në letër në këtë grup ka Norvegjia që pret në shtëpi Ishujt Faroe. Në grupin J, vëmendjen më të madhe e tërheq sfida mes Bosnje Hercegovinës dhe Italisë. Të kaltrit do të kërkojnë ta çojnë në 9 numrin e fitoreve në 9 takime përballë një Bosnjeje që ka pak shanse për të prekur kualifikimin direkt në Euro 2020 pasi Finlanda luan një ndeshje shumë të thjeshtë ndaj Lihtenshtejnit sot dhe ka 5 pikë më shumë 2 ndeshje nga fundi i eliminatoreve. Kështu që Dzeko e Pjanic me shokë duhet t’i përqëndrojnë të gjitha bateritë te faza play-off e Ligës B në Ligën e Kombeve. Në grupin J sot luhet edhe sfida Armeni-Greqi. Një duel që vlen shumë për pozicionet 3, 4 dhe 5 në grupin J.