Alberto Nobili, zëvendës prokurori kundër terrorizmit i Zyrës së Prokurorisë së Milanos që mori pjesë në operacionin e shpëtimit u shpreh se gjëja më e bukur e operacionit ka qenë bashkëpunimi mes palëve që solli suksesin.

Ai falënderoi autoritetet shqiptare për informacionin dhe bashkëpunimin. “Një fëmijë që thuajse u rrëmbye, pra një minoren që ndodhej jashtë vendit, në Siri, e rëndësishme është që fëmijën e sollëm ose më saktë e sollën të gjithë në shtëpi. Nuk ka rëndësi kush ka kontribuar diçka më shumë dhe diçka më pak, e rëndësishme është që e sollëm në shtëpi”.

Nobili thotë se “ky është rasti i parë në Europë që një fëmijë jetim mbahet në këtë kamp, shpëtohet në këtë mënyrë në një operacion ndërkombëtar. Në kampin Al-Hol dhe në Siri ka edhe shumë fëmijë të tjerë si Alvini”.

Sipas tij, mesazhi është i fortë, “tashmë Alvini kthehet në shtëpi dhe besoj se është hapur një rrugë me këtë eksperiencë. Kjo është shumë e rëndësishme. Me operacionin e Alvinit do të bëhet e mundur që të shpëtohen dhe fëmijët e tjerë që ndodhen në Siri. Pjesa e dytë e bukur ka qenë bashkëpunimi për rastin e Alvinit”.

Ai bën thirrje se “duhet të largohet kultura e radikalizmit, i ekstremizmit sepse këta fëmijë janë rrëmbyer dhe fatkeqësisht mund të bëhen terroristë të ardhshëm nëse mbeten atje”.