Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fushë-Krujë, në zonën e zgjedhur për rindërtimin, ku do të sistemohen familjet e mbetura pa mundësi rikthimi në pallatet e dëmtuara rëndë apo shtëpitë e rrënuara rreth e rrotull zonës urbane.

I shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Kryeministri Edi Rama pa nga afër zonën e zgjedhur për rindërtim si dhe u njoh në vija të përgjithshme me studimin paraprak.

Ministrja Margariti u shpreh se “është përzgjedhur zona që rezulton me më shumë prona-shtet, e cila ka një shtrirje të madhe, kapacitet të lartë dhe mund të akomodojë shumë familje”.

“Deri tani nga studimi paraprak, kjo është një nga mundësitë më të mira që kemi. Po bëhet studimi urbanistik. Kemi edhe nga planet e mëparshme të bashkisë Fushë-Krujë nevoja të ndryshme për rikualifikimin e qendrës dhe për shtimin e qendrave komunitare, qendrave kulturore, që janë hapësira që kanë munguar gjithmonë. Kështu që do t’i bashkëngjiten edhe pjesës së rezidencave”, tha ajo.

Kryeministri kërkoi që ky plan të shikohet menjëherë. “Ne shumë shpejt do ta fillojmë planin por që të bëhet kjo duhet të kemi gjithë inventarin e pronave, sepse pa inventar nuk e fillojmë dot planin. Të kemi të qartë se sa familje janë që absolutisht nuk kanë shans të jetojnë më në shtëpi apo pallate të pabanueshme dhe se çfarë përbërje kanë familjet, në mënyrë që të fillojmë menjëherë planifikimin”, tha Rama.

Në këtë zonë, sipas vlerësimeve paraprake, bëhet fjalë për rreth 250 banesa, të cilat Kryeministri theksoi se do të bëhen në një vend”.

“Jo ik këtej, ik andej. Pra, ne bëjmë një zonë rezidenciale me shumë njësi banimi dhe një zonë me njësi banimi individuale. Ta bëjmë perfekt, model, dhe nuk do të rrimë me banorë që shkojnë hedhin platforma këtej, ngulin shtëpia andej. Ata do të kenë një kusht, do t’i shembin ato shtëpitë e dëmtuara. Tokën nuk ua luan njeri, por ato shtëpi do të prishen dhe do të bëhet tokë bujqësore. Jo edhe këtu edhe atje. Të jetë e qartë kjo punë se fillon loja, shkojnë rindërtojnë atë atje dhe shesin këtë këtu, fillojnë historitë. Jo, ky duhet të jetë një rast që ne një pjesë të këtyre metastazave të këtij zhvillimi demokratiko-rrumpallë të paktën t’i eliminojmë”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi inventarin e plotë të banesave të dëmtuara si të shtëpive private edhe të atyre në pallat.

“Duhet ta bëjmë shumë shpejt. Duhet t’i japim fund aty ku është e dëmtuar dhe nuk bëhet të ikin dhe t’i lëmë ato rindërtime me dyshime dhe kosto, që shkon më shumë rindërtimi se ta ndërtosh nga e para. Ku nuk është e banueshme të iki, ku është të meremetohen dhe të futen. Këshilli bashkiak të marri vendime të shpejta dhe të ecim para, se nuk kanë kohë njerëzit të presin të bëjmë ne shkencë”, tha Rama.