Zinedine Zidane e ka hedhur poshtë mundësinë për t’u kthyer në postin e trajnerit të Real Madridit, sipas ish-presidentit të klubit madrilen, Ramon Calderon. Francezi 46-vjeçar u largua nga Madridi verën e kaluar, vetëm pesë ditë pasi e fitoi trofeun e tretë më radhë në Ligën e Kampionëve. Duke folur për BBC Radio 5, Calderon tha se Perezi i kishte telefonuar Zidanit mëngjesin e së mërkurës për t’i kërkuar të kthehej në klub.

“E di që këtë mëngjes presidenti [Florentino Perez] i telefonoi Zidanit për t’i kërkuar të kthehet, por ai i tha jo tani”, tha Calderon. Zidani e tronditi Real Madridin duke u larguar vetëm pesë ditë pas fitores së famshme ndaj Liverpoolit, duke u bërë trajneri i parë që i fiton tre tituj të Ligës së Kampionëve radhazi. Reali pritet të bëjë ndryshime të mëdha pas këtij sezoni, i cili praktikisht mbaroi për ta pas turpërimit nga Ajaxi në 1/8 e finales së Championsit. Përveç se është eliminuar nga Kupa e Mbretit dhe Liga e Kampionëve, Reali është i treti në La Liga, 12 pikë prapa liderit dhe rivalit, Barcelonës.