Trajneri Zinedine Zidane e ka ngritur në nivel diskutimi mungesën e vazhdueshme të Karim Benzemës nga ekipi kombëtar i Francës, në konferencën para përballjes së Real Madridit me Eibarin. Sulmuesi francez Karim Benzema ka qenë njëri ndër sulmuesit më të njohur në Evropë gjatë karrierës dhjetëvjeçare me Real Madridin, mirëpo ai nuk e ka përfaqësuar vendin e tij që nga viti 2015.

Qendërsulmuesi i Real Madridit nuk ka luajtur asnjëherë në nivel ndërkombëtar për Francën që nga skandali në të cilin ishte përfshirë para katër vjetëve – shantazh i futbollistit tjetër francez Mathieu Valbuena për një video intime. Zidane pretendon se Benzema ende dëshiron ta përfaqësojë Francës, edhe pse ai beson se lojtari i tij është mjaftueshëm i mirë dhe e meriton të ftohet nga Kombëtarja e Francës.

“Ai gjithmonë ka dashur të luajë për ekipin kombëtar të Francës. Të jem i sinqertë, unë nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur. Por, në aspektin sportiv, ai është më i mirë. Unë mendoj se ai duhet ta ketë një vend në Kombëtaren e Francës”, ka thënë Zidane. “Statistikat e tij flasin vetë. Ata që e ndjekin futbollin e dinë se ai është një lojtar cilsor. Ai është i rëndësishëm për skuadrën, për sulmin… ai bën punë shumë të mirë. Kjo e tejkalon punën time këtu, por mendoj se ai duhet të ftohet”.

Benzema nuk është përfshirë në listën e fundit të Kombëtares së Francës për ndeshjet e nëntorit – që do të zhvillohet gjatë dy javëve në vijim, kundër Moldavisë dhe Shqipërisë.