Kërkesa e partive aleate të Partisë Demokratike, dërguar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për nisjen e procedurave për zgjedhjet lokale të dekretuara në datën 13 tetor, duket se nuk do të marrë zgjidhje.

Sepse, mbledhja për këtë është kërkuar nga një anëtar, që është edhe kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ndërsa katër anëtarët e tjerë janë me pushime dhe burimeve thonë se ata nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e nesërme, të njoftuar.

Sipas njoftimit zyrtar, mbledhja e thirrur për ditën e nesërme ka në rendin e ditës pikërisht shqyrtimin e kërkesës së Partisë Agrare Ambientaliste, asaj Republikane dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e shtunë, më datë 03.08.2019, ora 10:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite: Shqyrtimi i projekt vendimi: 1. “Për shqyrtimin e kërkesës paraqitur nga partia Republikane e Shqipërisë, partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë dhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim “Për fillimin e procedurave për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 13.10.2019”, sqaron KQZ.

Këto tre parti të opozitës kanë kërkuar nisjen e procedurave të zgjedhjeve, duke konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 13 tetorit, gjë për të cilën nga Basha ende nuk ka asnjë reagim.