Një vit më parë në Rusi Gjermania dilte me kokën lart duke triumfuar në Kupën e Konfederatave, një turne që i shërben skuadrave pjesëmarëse për të konsoliduar ekipin por edhe idetë mbi turneun e madh që pason.

Në këtë aspekt Joachim Low mori lëvdatat mbi vete për përzgjedhjet e bëra, pasi la në shtëpi shumë prej titullarëve, madje mesazhi i dhënë nga trajneri në media ishte se do të provonte të gjithë futbollistët që ishin si potencial i mundshëm për të veshur fanellën e kombëtares dhe për t’i bërë presion titullarëve që asgjë nuk është e sigurtë.

Në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar skuadra e 21-vjeçarëve të gjermanisë fitoi kampionatin Europian të kësaj grupmoshe duke mposhtur Spanjën në finale.

Një sukses i jashtëzakonshëm për futbollin gjerman, që me të drejtë shtoi entuziazmin për të përsëritur suksesin e Brazilit edhe në tokën ruse. Por tashmë me eleminimin për herë të parë në histori që në fazën e grupeve, pikërisht trajneri Joachim Low që një vit më parë merrte komplimenta pa fund ka përfunduar në bankën e të akuzuarve. Kjo për faktin se trajneri nuk i shkoi deri në fund ideve të tij.

Numri një i stolit të pancerave e pa shumë mirë që një pjesë e mirë e titullarëve që 4 vite më parë triumfuan në Brazil nuk ishin në kondicionin e duhur fizik. Muller, Ozil, Khedira apo edhe Kimich sa për të përmendur disa emra kanë statistika të turpshme të km të përshkruara ashtu si dhe një pjesë e madhe e skuadrës.

Në Kupën e Konfederatave Gjermania e Low triumfoi falë variantit taktit me 3 mbrojtës dhe dy mbështetës të shpejtë për Werner si Stindl dhe Draxler. Në atë skuadër merrnin pjesë talentet e reja të futbollit gjerman si Benjamin Henrichs,Leon Goretzka, Sebastian Rudy dhe Julian Brandt.

Nga formacioni titullar i këtij turneu një vit më parë ishin Kimich, Hector dhe Werner, duke konfirmuar që Low në fund rezultoi të ketë bërë zgjedhjet e gabuara. Lënia jashtë e Leroy Sane është vetëm një pikë ku shtypi gjerman dhe ai botëror është mbështetur, por në fakt duket se 58-vjeçari ka bërë gjithçka gabim, duke i besuar gardës së vjetër, shkruan “SS”

Boateng, Khedira dhe Ozil kanë patur luhatje të forta këtë sezon të ndikuar nga dëmtimet e shumta, Kimich nuk ka gëzuar formën e tij më të mirë, Hector vjen nga skuadra e cila ra në Bundesligën 2, Toni Kroos nuk ka mundur do të tregojë aftësitë e tij dribluese por edhe në pasimet vertikale, ndërkohë që Goretzka në ndeshjen e fundit ndaj Koresë së Jugut luan jashtë pozicionit të tij.

Të vetmit që mund të shpëtojnë nga kritikat janë portieri Neuer dhe sulmuesi Timo Werner, i vetmi lojtar që është përpjekur të bëjë diçka në fushë.

Duket e paevitueshme që tek Gjermania kanë nevojë për një revolucion në stol, ose minimalisht Low të kuptojë gabimet dhe të reagojë menjëherë duke hequr dorë nga të besuarit e tij, pasi Gjermania ka shumë resurse për të ofruar një skuadër të denjë për një kompeticion madhor, të paktën edhe për një dekadë.