Në Barcelonë, dhe te Barça, kanë qenë të shumtë ata që ishin të bindur se El Clasico i parashikuar të luhej më 26 tetor mund të ishte zhvilluar pa asnjë problem në Camp Nou. Megjithatë, disa struktura të policisë spanjolle nuk kanë qenë aq të sigurta në lidhje me këtë dhe kanë këmbëngulur që Barça-Real Madrid të shtyhej. Dhe kështu ka ndodhur: El Clasico është vendosur të luhet më 18 dhjetor.

Larg rrëmujave që kanë ndezur Barcelona-n pas vendimit për të dënuar politikanët e përfshirë në referendumin ilegal mbi pavarësinë e Katalonjës të zhvilluar më 1 tetorin e 2017-ës dhe për zgjedhjet kombëtare, të cilat do të zhvillohen nesër.

Focat e rendit kanë patur frikë që CDR (Komiteti për Mbrojtjen e Republikës, pjesa më ekstremiste dhe e dhunshme e protestuesve) mund të kërkonte të shfrytëzonte vitrinën mediatike ndërkombëtare që ofronte Barça-Real Madrid dhe të kërkonte ta pengonte zhvillimin e ndeshje në njëfarë mënyre.

Shqetësime këto që janë konfirmuar nga Mundo. E përditshmja politike madrilene ka rrëfyer në faqe të parë planin e CDR-së për të sabotuar ndeshjen e 26-tetorit.

“Plani ishte që të rrethohej autobusi i Real-it dhe të pengohej që të shkonte në hotel. Në rast se ky plan do të dështonte, ata do të kërkonin të pengonin madrilenët që të shkonin në stadium. Pjesa tjetër e planit përfshinte lënien në errësirë e Camp Nou gjatë ndeshjes për të bllokuar transmetimin televiziv të ndeshjes”, shkruhet në Mundo.

Zbulimi i këtyre planeve ka shtyrë palët e ndryshme, La Liga-n, forcat e rendit dhe vetë qeverinë, që të vendosnin për shtyrjen e ndeshjes. Problemi është platforma që drejton protestat në Barcelonë, Tsunami Democratic, pasi ka festuar për shtyrjen e El Clasico-s (“Kemi fituar pa zbritur nga autobusi”, kanë shkruar) ka lajmëruar menj ëherë se do të përgatisin nisma të tjera bojkotazhi për 18 dhjetorin.

Sipas Mundo, që ka cituar burime nga forcat e rendit, ideja e CDR-së ishte të bllokonte rrugën që autobusi i Real Madrid do të bënte nga aeroporti në hotel. Në rast se skuadra e Zidane do të kishte arritur të kalonte këtë pengesë të parë të, do të kishte patur një tentativë tjetër për t’i ndalur madrilenët që të arrinin në stadium.

Pjesa e tretë e planit kishte lidhje me një sabotim elektrik: ndeshja ishte parashikuar të luhej në orën 13:00, domethënë pa nevojën e dritave artificiale, por CDR donte të shkaktonte një black-out për të bllokuar transmetimin televiziv të ndeshjes. Mungojnë rreth 40 ditë para zhvillimit të ndeshjes dhe tensioni mbetet shumë i lartë./telesport