Neymari do të ishte i gatshëm të paguhet 15 milionë euro më pak në vit vetëm që t’i bashkohet Barcelonës nga Paris Saint-Germaini. Paga e tij do të binte nga 38 në 23 milionë euro në vit. Të paktën kështu raporton gazetari i BBC-së, Guillem Balague, në BBC Radio 5 Live. Gjiganti spanjoll besohet se ia bërë Paris Saint-Germainit disa oferta të ndryshme për Neymarin, përfshirë këtu një ofertë prej 100 milionë eurosh dhe Philippe Coutinho.

Megjithatë, këto oferta janë refuzuar nga PSG-ja, e cila dëshiron të fitojë më shumë para për brazilianin, të cilin ia rrëmbeu Barcelonës para dy vjetësh për 222 milionë euro. “Futbollisti është i gatshëm të pranojë që paga e tij për ulet nga 38 në 23 milionë euro në vit”, është shprehur Balague.

“Është një situatë interesante në Barcelonë. Ata besojnë se duhet të tentojnë dhe të punojnë shumë për ta kthyer atë në skuadër”.

“Lionel Messi, Gerard Pique dhe Luis Suarez e duan me të vërtetë shumë kthimin e tij, ndërsa edhe presidenti Josep Maria Bartomeu i ka edhe dy vjet në mandatin e tij dhe ai dëshiron ta lë një trashëgimi të madhe. A mund t’i imagjinoni të gjithë ata lojtarë që janë përmendur dhe Neymarin?”

Për momentin, Neymari është duke u stërvitur i vetëm në PSG, edhe pse raportohet se kjo gjë është pjesa e një programi të bërë më parë e jo për shkak të spekulimeve për të ardhmen e tij.

Real Madridi ka hyrë fuqishëm në këtë garë me një ofertë tunduese, e cila megjithatë u refuzua nga PSG-ja. Oferta e madrilenëve ishte: para + Gareth Bale + James Rodriguez.