Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dje nga foltorja e Kuvendit, publikoi një foto në të cilën pretendon se kreu i PD, Lulzim Basha shfaqet me vëllain e një prej porositësve të “Toyota”-ve ku u gjetën 3.4 mln euro të padeklaruara.

Sot në një prononcim për mediat, Basha tha se nuk e mbante mend se kur ishte bërë një foto e tillë, por u shpreh se mund të jetë bërë gjatë një fushate për zgjedhjet e pjesshme në Dibër. Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka dhënë një tjetër version për foton.

Sipas deputetit Salianji, fotoja për të cilën flet Balla është realizuar në ditën e 26-vjetorit të themelimit të PD-së, kur çdo qytetar hynte e dilte në selinë e kësaj partie.

Në një intervistë për BalkanWeb, Salianji është shprehur se “Ne që jemi në politikë, mund të jemi kudo mes njerëzve. Ne bëjmë foto me persona që nuk i njeh. Foto e asaj dite më kujtohet është dita e hapur e PD me rastin e 26 vjetorit të themelimit të partisë. Të gjithë qytetarët hynin në seli”.

Nisur nga kjo deklaratë e Salianjit, ne i shkuam edhe më tej dhe zbuluam që në fakt kjo që ka thënë deputeti i Lulit, nuk është aspak e vërtetë.

Festa e themelimit të Partisë Demokratike është në datat 11-12 dhjetor, ndërsa fotoja është bërë me 29 dhjetor.

CNA.al ka gjetur foton në profilin në rrjetet sociale të Halit Markut dhe ajo i përket datës 29 dhjetor 2016, pra pak minuta përpara se Lulzim Basha të nisej për në Hollandë.

Nisur nga këto fakte, ne kemi një pyetje- A i ka takuar Basha në Hollandë vëllezërit e mikut në zyrë?/ CNA.al