Kryebashkiaku i ri i Kamzës, Rakip Suli ka denoncuar sot një leje të dhënë nga paraardhësi i tij, Xhelal Mziu, vetëm 8 ditë përpara se të largohej nga zyra. Bëhet fjalë për një objekt për përpunimin e produkteve bujqësore që do të ngrihet në Paskuqan, por sipas Sulit, vendimi i Mziut është kriminal.

“Kemi një leje ndërtimi të dhënë më 29.7.2019, pra flasim 8 ditë përpara marrjes së mandatit tim. Kemi një plan të detajuar vendor të 2013-ës që është aktiv. Këtu është planifikuar për park kombëtar. Nga ana tjetër është menduar që bulevardi kryesor i Tiranës do të vijë te liqeni ku jemi ne. Ky vendim, kjo leje është kriminale”, tha Suli.

Sipas Sulit, në atë zonë ka shtëpi që nuk u është dhënë leja e legalizimit, por në të njëjtën kohë është dhënë leja e ndërtimit për këtë objekt të ri.

I pyetur nga gazetari i Top Channel, Andi Bora, se çfarë rrugë do të ndjekë dhe nëse do të ngrejë padi, kryebashkiaku tha: “Do të ngrihet padi pranë Prokurorisë së Tiranës dhe kam bindje se prokuroria do ta hetojë në detaje, që nga prona deri te leja e ndërtimit.”

Rakip Suli bëri përgjegjës për këtë çështje ish-kryebashkiakun Xhelal Mziu.

Por ndërkohë që kryebashkiaku fliste përpara mediave, ka ndërhyrë pronari i objektit të denoncuar. Ai ka theksuar se tokën e ka të trashëguar dhe nuk mban përgjegjësi për procedurat e lejes.