Mesfushori i Borussia Dortmund, Axel Witsel, ka dhënë një intervistë interesante për Goal dhe DAZN. Belg ka folur për karrierën e tij. Nga debutimi me Standard Liegi te mundësitë e shumta për të luajtur te një klub i madh europian, që nuk u konkretizuan kurrë deri kur erdhi transferimi te verdhezinjtë në 2018-ën.

30-vjeçari ka pranuar se ka patur mundësinë të nënshkruante me Real Madrid, Manchester United dhe Juventus. Madje, ai ka zhvilluar edhe vizitat mjekësore me bardhezinjtë, por gjithçka ka dështuar në momentin e fundit.

“Në 2012-ën mund të isha transferuar te Real Madrid, kur ishte Jose Mourinho. Më pas, ata nënshkruan me Modric dhe nuk kishte kuptim për mua të shkoja në Madrid. Pak para fundit të merkatos më ka telefonuar Zenit-i. Jam një person i hapur dhe nuk kisha frikë nga Rusia”, ka thënë Witsel.

Gjatë qëndrimit në klubin rus, belgu ka marrë një tjetër telefonatë të rëndësishme nga Juventus, kur kontrata e tij ishte drejt skadencës: “Kontrata ime me Zenit-in kishte mbaruar dhe doja të transferohesha në Torino tek Juventus”.

“Kalova vizitat mjekësorë dhe duhej vetëm të nënshkruaja kontratën. Prita gjithë ditën në zyrë dhe në fund Zenit-i më tha të kthehesha. Ndoshta nuk ishte shkruar. Ndoshta nuk ishte momenti i duhur”.

Pas Zenit-it dhe mundësisë bardhezi, ka ardhur vendimi për të shkuar në Kinë: “Siç thashë, jam i hapur dhe më pëlqen të provoj eksperienca të ndryshme. Njerëzit kanë thënë se ishte një zgjedhje e bazuar te paratë. Më vjen keq që, veçanërisht gazetat në Belgjikë, kanë shkruar gjëra të caktuara. Familja ime e ka vuajtur shumë këtë, por jo unë”.

Gjithsesi, pas eksperiencës me Tianjin, ka ardhur mundësia e re për t’u kthyer në Europë: “Në fillim kam folur me Michael Zorc (drejtori sportiv i Borussia Dortmund) dhe më pas me trajnerin Lucien Favre”, ka zbuluar Witsel.

“Kam patur edhe oferta të tjera, ndoshta mund të kisha shkuar ne Paris ose në Manchester , por nuk doja të prisja. Kisha ndjesinë se isha zgjedhja e parë për Dortmund-in. Është e rëndësishme të ndihesh mirë kur shkon te një klub i ri”.

“Kështu, pas takimeve me Zorc, Favre e Hans-Joachim Watzke (drejtori ekzekutiv), vendosa t’i bashkohesha Borussia-s. Një klub i nivelit të lartë dhe unë kisha një dëshirë të madhe të luaja në Europë. Ndoshta ka qenë mundësia ime e fundit dhe besoj se ka qenë zgjedhja e duhur në momentin e duhur”.