Bashkia e Shkodrës i kërkon policisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të lirojnë ambientet në administrim të bashkisë të përdorura si KZAZ, në të cilat kanë mbërritur tashmë materialet e votimit.

Përmes një deklarate për mediat, bashkia e drejtuar nga Voltana Ademi, e zgjedhur e PD-së, e cila që në moment të parë ka dalë hapur në kundërshtim të procesit të 30 qerëshorit duke zbatuar dekretin e Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve, thotë se në ambientet e KZAZ-ve janë punonjës të bashkisë që po menaxhojnë godinat. “këto godina nuk janë në dispozicion të materialeve të kujdot institucioni qofshin”, thotë bashkia e Shkodrës duke ju drejtuar KQZ-së dhe Policisë së Shtetit.

Reagimi

Përmes mediave, kemi mësuar se drejt Qarkut të Shkodrës është nisur nga KQZ-ja bazë materiale. Siç kemi informuar edhe më herët KQZ-në, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës, Kodit Zgjedhor, ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, nuk ka funksionuar asnjëherë dhe aq më shumë pas datës 10 qershor 2019, asnjë e ashtëquajtur KZAZ në territorin e Bashkisë së Shkodrës.

Në asetet pronë dhe në menaxhim të Bashkisë së Shkodrës, me urdhër- pune, janë punonjës të administratës vendore që po vijojnë dhe do të vazhdojnë punën për administrimin dhe menaxhimin e godinave. Ndërkohë, në detyrë fuknsionale, punonjësit janë pajisur me urdhrin e punës dhe me shkresën dërguar më herët KQZ-së ku bëhet me dije se godina e Pallatit të Sportit dhe të tjera asete të Bashkisë Shkodër, nuk janë vënë në dispozicion nga qeverisja vendore për funksione të tjera. Në këto kushte, këto godina nuk janë në dispozicion për depozitim të materialeve të kujtdo institucioni qofshin.

Bashkia e Shkodrës i kërkon Policisë së Shtetit dhe zyrtarëve të KQZ-së, për çdo këkresë që mund të kenë për sa më sipër, t’i drejtohen me shkresë institucionit të Bashkisë Shkodër. Si deri më tani, nxisim të gjithë individët dhe institucionet të zbatojnë rigorozisht Kushtetutën, Dekretin në fuqi të Presidentit të Republikës, Kodin Zgjedhor, ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Kartën Europiane për Autonominë Vendore. Sjellim në vëmendje që shkelja e tyre, ngarkon me përgjegjësi ligjore çdo individ apo instititucion.