Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda priti në një takim përfaqësues të BE për çështjen e ripranimit.

Ky takim i 7-të i Ripranimit,u zhvillua me përfaqësues nga pala europiane, si DG HOME, FRONTEX, përfaqësues të trupës diplomatike të Holandës, Francës, Belgjikës, etj.

Në të, u prezantuan disa nga arritjet më domethënëse të vendit, sa i takon ecurisë së zbatimit të Marrëveshjeve të Ripranimit me BE dhe Protokolleve të zbatimit, përmirësimit të legjislacionit në fushën e migracionit, zbatimit të Marrëveshjes me FRONTEX, si një arritje e jashtëzakonshme, politikat në drejtim të të miturve të pashoqëruar, planet e punës në luftën kundër migracionit, etj.

Pala europiane vlerësoi maksimalisht përpunimin në kohë reale të kërkesave të ripranimit nga pala shqiptare.

Bashkëpunimi me vendet si Franca, Holanda e Belgjika në trajtimin e kërkesave për ripranim është vlerësuar me nota shumë pozitive. U vlerësuan indikatorët përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, nëpërmjet rritjes së numrit të operacioneve policore të përbashkëta në drejtim të trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandimit të migrantëve.

Pala shqiptare shprehu angazhim maksimal për vijimin e bashkëpunimit, e mbështetja e palës europiane nuk do të mungojë për arritjen e rezultateve të prekshme në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.