Porti i Vlorës është kthyer në një pikë të rëndësishme të itinerarit të anijeve turistike që përshkojnë Mesdheun.

Ditën e sotme në “Portin Detar” në Vlorë ka mbërritur kroçera “La Belle De L’Adriatique” me 182 turistë të cilëve i është ofruar informacion në lidhje me portin dhe zonat turistike të qytetit. Pas vizitës në port dhe në qytetin e Vlorës, turistët do vizitojnë Apolloninë e Fierit dhe qytetin e Beratit.

Falë bashkëpunimi mes “Portit Detar” në Vlorë dhe kompanive turistike vendase e të huaja ka rritur në mënyrë të ndjeshme numrin e turistëve që mbërrijnë në portin e Vlorës.

Kroçera “La Belle De L’Adriatique” mbërriti për herë të parë këtë vit në portin e Vlorës me 183 turistë më 16 shkurt, ndërsa deri tani është ankoruar disa herë në portin e dytë më të madh në vend. Mbërritja e kroçerave është pjesë e axhendës së Mesdheut, ku qyteti i Vlorës tashmë zë një vend të veçantë.