Teksa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin një vendim nga vendet europiane për hapjen e neogicatave të anëtarësimit në samitin e Tetorit, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk do të vizitojë javën e ardhshme vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zyrtari i lartë i BE-së pritet të vizitojë Tiranën të martën e 17 Shtatorit, ku do të takohet me krerët më të lartë të shtetit. Pjesë e këtij turi është edhe vizita e tij në Shkup. Ai pritet të përcjellë një mesazh pozitiv për hapjen e negociatave për të dy vendet.

Në një intervistë të mëhershme për të përditshmen malazeze Vijesti, komisioneri europian për Zgjerimin në largim Johanes Hahn shprehet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë hapjen e negoicatave të anëtarësimit. Për Shqipërinë, Hahn vlerësoi veçanërisht përparimin që është bërë me reformën në drejtësi, të cilën sipas tij Brukseli duhet t’a shpërblejë.

“Jam krenar për reformat që janë realizuar në Shqipëri, veçanërisht me procesin e Vetingut të gjykatësve dhe prokurorëve, që ka ngritur një themel të ri në procesin gjyqësor dhe mund të shërbejë si model për të tjerët. Si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria meritojnë hapjen e negoicatave të anëtarësimit”.

Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Hahn vlerëson marrëveshjen e Prespës që i dha fund mosmarrëveshjeve disa dekadëshe me Greqinë.