Për Iranin sfida e mbrëmjes së sotme kundër Portugalisë është shumë e rëndësishme. Persëve u duhet fitorja, në të kundërt ata eliminohen nga Kupa e Botës.

Dhe që të marrin 3 pikët nuk ka për të qenë aspak një mision i lehtë, duke qenë se kundër do të kenë një nga futbollistët më në formë të momentit, Cristiano Ronaldo-n.

Por tifozët iranianë menduan që t’i vinin në ndihmë kombëtares së tyre. Ata u drejtuan për në hotelin ku përfaqësuesja luzitane pushonte në Saransk dhe nisën të këndonin me sa zë kishin.

Dhe kjo vetëm e vetëm që të linin kapitenin dhe autorin 4 golave në këtë botëror dhe shokët e tij pa gjumë.

Këngë, brohoritma dhe zhurmë daullesh lanë jo vetëm ekipin, por gjithë zonën në këmbë. Aq e padurueshme ishte zhurma, sa vetë CR7 u çua nga krevati dhe doli në dritare ku u kërkoi fansave që të pushonin pasi ai donte që të flinte gjumë.

Por ky reagim, ngjalli më shumë dëshirën e iranianëve për të bërë zhurmë.

Cristiano Ronaldo dhe shokët e tij e kanë gjetur një zgjidhje për të fjetur, e për të qenë gati për sfidën e fundit të grupit, ku synojnë ta kalojnë me sukses.