Cristiano Ronaldo ndër vite ka ndërtuar një (vetë)imazh pothuajse të përsosur: një njeri i pashëm, një lojtar fitues, shumë trofe të grumbulluar, një familje për t’u pasur zili, me plot fëmijë. Ne nuk e kemi parë ndonjëherë me lot në sy atë, por kur flet për babanë (i cili vdiq në vitin 2005), ylli portugez “rrëzohet pa frena”…

Kampioni i Juventusit ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Good Morning Britain”, e cila do të transmetohet e plotë vetëm të martën në mëngjes. Sidoqoftë, sot u reklamua një fragment i saj. Momenti më kulminant arriti me fjalët e Ronaldos për babanë e tij të ndjerë.

“Trishtimi më i madh për mua është kur mendoj se babai kurrë nuk e pa atë që u bëra. Unë u bëra numri një dhe babai nuk di asgjë.

Ai kurrë nuk më pa të merrja çmime. Pjesa tjetër e të njohurve e mi i pa të gjitha; nëna ime, vëllezërit e mi, madje edhe djali im më i madh. Ai, asgjë…”

Siç shihet edhe nga video, Ronaldo përmbytet në lot, duke treguar anën më të fshehtë të karakterit të tij. Edhe njerëzit, që shfaqen “të akullt” në fushën e lojës, kanë zemër dhe, kur flasim për këto gjëra, nuk i shmangin dot emocionet e forta:

“Kam pritur që intervista të ishte argëtuese, por nuk e mendoja të qaj. Mirëpo, asnjëherë nuk i kam parë këto pamje. Nuk e di ku i keni marrë. Më duhet t’ia tregoj familjes sime këto pamje.

Vërtet nuk e njoh babanë tim 100 për qind. Ai ishte një person i alkoolizuar. Asnjëherë nuk kam biseduar me të, nuk munda të zhvilloja një bisede normale. Ishte e vështirë”.