Vendimin e fundit të qeverisë për të vendosur sigurimin e detyrueshëm 10-vjeçar për ndërtuesit, me përfituesit, blerësit e apartamenteve, qytetarët e kanë mirëpritur.

Të pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), qytetarë të grupmoshave të ndryshme shprehen se, sigurimi i banesave është i domosdoshëm për t’u mbrojtur nga tërmeti dhe dukuri të tjera natyrore.

“Është vendimi më i drejtë që ka marrë qeveria. Pasi nëse do t’i kishin shtëpitë e siguruara nuk do të prisnin nga shteti, por do të kontaktonin me kompanitë e sigurimit dhe do të ishin dëmshpërblyer”, theksoi një qytetar duke iu referuar pasojave që shkaktoi tërmeti i 21 shtatorit 2019.

“Mendoj se është një gjë e mirë dhe duhet të bëhet kulturë siç e ka edhe bota. Sigurimi i banesave i orendive shtëpiake nga tërmeti, zjarri apo përmbytjet, i makinave dhe çdo gjëje duhet të bëhet nga të gjithë sepse kështu funksionon bota”, – tha një tjetër qytetar.

“Unë e kam siguruar menjëherë shtëpinë, pas tërmetit që ndodhi dhe tani jam shumë e qetë. I bëj apel qytetarëve të sigurojnë shtëpitë e tyre. Vendosja e sigurimit me ligj i ndihmon të gjithë” u shpreh një qytetare.

Për mikrofonin e ATSH-së, qytetarët thanë se, janë njohur me çmimin vjetor që aplikojnë kompanitë e sigurimit për sigurimin e banesave dhe sipas tyre, kosto është e arsyeshme dhe e përballueshme ndaj sigurisë që përfiton.

Sipas tyre sigurimi i banesave, ashtu sikurse është edhe në vendet e tjera të huaja, nuk është një shërbim që duhet pritur nga shtetit, por ai duhet të jetë individual privat.