67 shoferë janë gjobitur brenda 48 orëve sepse nuk u kanë dhënë përparësi këmbësorëve në vizat e bardha apo në rrugët kur këto të fundit mungojnë.

Policia njofton se janë ashpërsuar masat për të gjithë drejtuesit që nuk respektojnë këmbësorët, ndonëse vihet theksi se edhe këta të fundit nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke u bërë burim aksidentesh.

“Janë të shumtë ata që drejtojnë një automjet dhe ankohen se këmbësorët janë të pakujdesshëm dhe se nuk respektojnë detyrimet e rregullat e qarkullimit rrugor, duke u bërë shkak për aksidente të rënda, shpeshherë edhe me pasoja fatale për këta të fundit.

Por nga ana tjetër, nuk janë të paktë në numër, drejtuesit e mjeteve të kategorive të ndryshme që me sjelljen e tyre në trafik, janë po aq të rrezikshëm duke mos dhënë përparësi këmbësorëve në vendkalimet e tyre apo kur ata kanë filluar lëvizjen në ato rrugë ku vendkalimi i tyre mungon.

Nga vëzhgimi i rrugorëve të kryeqytetit, në lidhje me sjelljen e përdorueseve të mjeteve ndaj këmbësorëve janë dokumentuar dhe proceduar administrativisht 67 drejtues mjetesh përgjatë 48 orëve të fundit”, njofton policia rrugore.