“Njerëz të padukshëm” sjell historinë e një mjeshtri qeramike në Fishtë të Lezhës, i cili në aktivitetin e tij ka punësuar gjithë familjen.

Në vitet ’90, kur të gjithë mendonin emigrimin, ishte një misionar italian që ndryshoi jetën e Vasil Kukajt.

“Në vitet ’90 një misionar italian erdhi këtu. Unë bëja përkthyesin me aq pak fjalë sa dija italisht. Ai solli 3 maune me ndihma dhe para 500 bashkëfshatarëve të mi hapi maunen e parë dhe dolën kazma e lopata, hapi maunen e dytë dhe dolën karroca dore, hapi maunen e tretë dhe dolën pemë frutore. Shumica u zhgënjyen, ndërkohë që ishte ai i cili që në ato vite erdhi me idenë që ta duam vendin tonë dhe të punojmë këtu”, tha Vasili.

Pasi kreu studimet në Itali me mbështetjen e misionarit italian, Vasili vendosi të rikthehej në vendlindje dhe të hapte punishten e vetë të qeramikës.

“Çdo objekt që bëj është unik. E bukura e punës me dorë është se ngelen shenjat e gishtave. Kam dëshirë të ndihmojë edhe familjen. Vëllezërit ishin emigrantë para 10 vitesh dhe me radhë u thashë hajdeni të punojmë bashkë se ky aktivitet do bashkëpunim. Procesin e përgatitjes së baltës ma bënë vëllai. Kemi krijuar oazin tonë dhe fëmijët po rriten me frymën e bashkëpunimit”, shprehet ai.

Kohët e fundit, Vasili shprehet se ky treg ka një ngritje, duke parë edhe numrin e vizitorëve. “Vijnë turistë përditë dhe kjo të bën të përkushtohesh edhe më shumë. Po funksionon sepse janë futur rregullt e lojës. Punon me ndershmëri, ke licencë dhe ne po shikojmë frytet e punës. Tregu shqiptar kërkon më tepër objektet për restorante si në Tiranë edhe në Kosovë, tavat e baltës përshembull”, thotë Vasili.

ERTV 📽: NJERËZ TË PADUKSHËM

Gepostet von Edi Rama am Sonntag, 24. März 2019