Një histori mbresëlënëse suksesi, që falë pasionit të sipërrmarësve, është shndërruar në një model të zhvillimit të agroturizmit në vend.

Kryeministri Rama ka publikuar kështu në ERTV, pamjet e sipërmarrjes “Pema e Jetës” në Durrës, ku integrohen në një, ferma blegtorale, serrat e fruta perimeve, njësitë e përpunimit të prodhimeve bujqësore, blegtorale e agroushqimore, natyra dhe njësia e restorantit, sipërrmarje kjo për të cilën Kryeministri thotë se është mbështetur financiarisht nga Skema Kombëtare për mbështetjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Në këtë intervistë nga mjediset e fermës për ERTV, drejtorja e AZHBR, Frida Krifca, shpjegon për mbështetjen financiare që jepet për sipërmarrje të tilla nga buxheti i shtetit.

“Jemi në një sipërmarrje në Durrës që ka përfituar nga skemat e AZHBR-së e cila ëhtë mbështetur për instalimin e një kapanoni pikë grumbullimi për fruta perimet. Subjekti ka mbjellë dhe grumbullon fruta perime dhe është një model që ka integruar fermën blegtorale, serrën. Plani i biznesit të këtij subjekti është shumë ambicioz pasi do të zgjerohet më tej me dhoma akomoduese. Ne kemi firmosur një kontratë me subjektin edhe për përpunimin e fruta perimeve, për tharjen përpunimin e reçelërave, produkteve që mund të blihen nga vizitorët”, tha Krifca.

Kjo sipërmarrje, ku shumë qytetarë nga Tirana dhe jo vetëm zgjedhin të kalojnë fundjavat, mundëson që të jeni në kontakt me natyren, kafshët e fermës dhe produktet bio që prodhohen aty.

Një nga të veçantat e kësaj ferme, është mbjellja dhe përpunimi më pas në salcra të ndryshme i manava goxhi, një frut i rrallë për Europën, por shumë popullor në SHBA dhe Kinë (ku njihet me emrin goji-berry).

Për ERTV, ka folur dhe djali i familjes së sipërmarrësve, Dorart Bujari, i cili pas studimeve në Angli vendosi t’i kthehet punës me agroturizmin në tokën e tij.

I riu prezantoi punën që po bëhet me ndërtimin e dhomave akomoduese pranë fermës, si dhe me ngritjen e dhomave të posaçme për përpunimin e produkteve bujqësore, reçelërave, salcave, kompostove dhe përgatitjen e tyre për një treg përtej Shqipërisë.