Sonte në orën 19:00 do të luhet ndeshja testuese e stadiumit Arena Komëbëtare në prag të sfidës inauguruese mes Shqipërisë dhe Francës. Në fushë për të shkelur për herë të parë tapetin e gjelbër të këtij impianti 75 mln eurosh do të zbresin vajzat e Vllaznisë dhe ato të Apolonisë, të cilët luajnë në kuadër të kampionatin shqiptar.

Me kërkesë të UEFA-s janë shpërndarë 10 mijë bileta për të bërë një testim ashtu siç duhet të impantit të kryeqytetit, që vetëm pas pak ditësh do të rikthejë në ‘shtëpi’ kombëtaren shqiptare.

Takimi mes Vllaznisë dhe Apolonisë për vajza ishte në program të dielën e kaluar, por ajo u shty për shkak se u bë rimbiellja e barit të fushës për stinën e dimrit. Ndërkohë përgjatë gjithë ditëve të fundit është folur nëse stadiumi do të jetë apo jo gati për ndeshjen kualifikuese me Francën, e cila luhet më 17 nëntor, por në të gjitha daljet e tyre drejtuesit e federatës kanë dhënë siguri se ndaj kampionëve të botës do të luhet në këtë impiant.

Për të ndjekur sfidën e sotme të pranishëm do të jetë edhe disa inspektorë të UEFA-s, të cilët pas konfirmimit në parim do të bëjnë edhe ‘kualidimin’ përfundimtar të stadiumit.