Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini ka nisur ditën e parë të vitit akademik universitar me një mesazh për të gjithë studentët, ku shprehet: “Kemi kaluar gjithë muajt e verës duke punuar për të vijuar me realizimin e Paktit për Universitetin. Do vazhdojmë me politikën e përgjysmimit të tarifave për të gjithë studentët e ciklit të parë dhe të integruar të vijojmë me dhënien e bursave për të gjithë studentët ekselentë dhe kategoritë në nevojë. Kemi investuar në konvikte, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë. Mos harroni të përdorni bibliotekën digjitale që ka miliona artikuj shkencorë libra akademikë për studimet tuaja. Ju lutem na shkruani për çdo gjë nëse keni pyetje, shqetësime, në këtë faqe apo adresat tona e-mail. Le të mbajmë komunikimin hapur, të mbledhim të gjitha energjitë bashkë që ta çojmë përpara realizimin e Paktit për universitetin dhe të përmirësojmë cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri”.

Ndërkohë, Ministrja Shahini mori pjesë gjithashtu në aktivitetin e organizuar me rastin e fillimit të vitit të ri universitar me studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryeministri Z. Edi Rama, si dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Znj. Ogerta Manastirliu.
Në fjalën e saj, Znj. Shahini nënvizoi se protesta e vjetshme i dha një shtytje të fortë avancimit të nismave që përmirësojnë cilësinë e Arsimit të Lartë në vend: “Kjo protestë na dha një shtytje të fortë që të çojmë përpara nisma të cilat jo vetëm përmirësojnë cilësinë e Arsimit të Lartë në Shqipëri, por edhe jetën studentore. Ne jemi përpjekur që jetën tuaj studentore ta bëjmë sa më të mirë dhe sa më të lehtë. Duke qenë se jeni studentë ekselentë, vlen të përmendet se të gjithë do të përfitoni nga politika jonë e përjashtimit nga tarifat dhe e përfitimit të bursave, si gjithë studentët e tjerë ekselentë që u përkasin kategorive të ndryshme”, tha ajo.

Ajo theksoi se janë bërë investime në konvikte në të gjithë Shqipërinë, pasi studentët duhet të kenë akomodim sa më të mirë. Gjithashtu ajo ka përmendur edhe grantin e ndarë për furnizimin e laboratorëve jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha universitetet publike, pasi puna e bërë në laboratorë duhet të jetë me kushte sa më të mira. Një tjetër pikë e rëndësishme ishte karta e studentit. Ajo theksoi se tashmë e kemi jo vetëm në Tiranë por në të gjithë universitetet e tjera jashtë Tirane. “Të jesh student do të thotë të kesh më pak mundësi financiare dhe nuk mund të përballosh aktivitetet sociale. Ne jemi përpjekur që aty ku ka qenë e mundur të bëjmë marrëveshje me ofertues të shërbimeve të ndryshme, që studentët t’i përfitojnë me çmimet më të mira”, u shpreh ajo.

Për sa i përket Sondazhit Kombëtar të Studentëve, Ministrja Shahini tha se tashmë dihet se çfarë mendojmë studentët dhe se çfarë duhet përmirësuar në arsimin shqiptar. Mesazhi i tyre ka qenë i qartë. Pedagogët janë mirë por universitetet nuk ofrojnë të gjitha kushtet e favorshme. “Aktivizmi i studentëve që na shtyu në këtë rrugëtim nuk do të ndërpritet me kaq. Do ta shtyjmë përpara, që t’i bëjmë universitetet të jenë aty ku duhet, na nevojitet edhe angazhimi juaj. Nëse qëndrojmë në dialog mund të çohet përpara cilësinë e arsimit” – nënvizoi ndër të tjera ministrja Shahini.