Çmenduria në rrugët shqiptare vazhdon… Policia ka vijuar kontrollin mbrëmjen e djeshme në rrugën Tiranë-Elbasan dhe anasjelltas, në segmentin ku evidentohet shpejtësi e lartë dhe manovra të rrezikshme, në një rrugë ku rrisku për t’u përfshirë në ngjarje rrugore është i madh, pikërisht për shkak të këtyre shkeljeve.
Policia Rrugore thekson se shpejtësia e lëvizjes nga disa prej mjeteve arrinte nga 158-173 km/h.

Për shkak edhe të dy aksidenteve në fundjavën e kaluar, ky segment, ka qenë objekt kontrolli gjatë gjithë kohës dhe për një javë u janë hequr patentat mbi 135 drejtues mjetesh.

“Nëse diçka me mjetin apo me rrugën shkon keq, me një shpejtësi të tillë, mund të jetë dhe udhëtimi i fundit. Vajza dhe djem, etja për shpejtësi duhet limituar në raport me dispozitat ligjore, shkelja e të cilave, veç rrezikut permanent për ju dhe të tjerët, do ju penalizojë duke ju lënë pa leje drejtimi për një kohë të gjatë, pasi policia, do jetë aty, për të parandaluar aksidentet rrugore që vijnë si pasojë e shpejtësisë dhe çmendurisë në rrugë” shkruan policia.