Manchester City ka fituar me lehtësi 3-1 kundër Bournemouth në javën e tretë të Premier League.

Ka qenë një sukses pa shumë vuajtje për lojtarët e Pep Guardiola, që kanë zhbllokuar takimin pas vetëm 15 minutash lojë me Aguero-n, i cili ka marrë një asist të pavullnetshëm nga De Bruyne.

Për belgun ka qenë asisti numër 50 në Premier League dhe e ka arritur këtë shifër në më pak ndeshje se çdo lojtar tjetër në historinë e kampionatit anglez (123 takime).

Dy minuta para fundit të pjesës së parë ka ardhur goli i dytë i miqve me Raheem Sterling, që ka kapur “zbulimin” Pukki në renditjen e golashënuesve me 5 realizime.

Reagimi i vendasve ka ardhur në minutat shtesë të pjesës së parë me një gol të mrekullueshëm të realizuar nga Wilson me goditje dënimi. Gjithsesi, City ka gjetur golin e sigurisë nëntë minuta pas fillimit të pjesës së dytë.

Një gol që ka ardhur nga kombinimi i radhës mes David Silva-s dhe Sergio AGuero-s, me të parin që ka dhënë asistin (edhe ky i pavullnetshëm) dhe të dytin që ka shënuar golin.

Bashkëpunimi i argjentinasit me spanjollin ka prodhuar 27 gola në Premier League, dyshet e vetme që kanë bërë më mirë janë Henry-Pires (29) dhe Drogba-Lampard (36).

City është ngjitur në vendin e dytë, vetëm dy pikë larg Liverpool-it, ndërsa Bornemouth ka zbritur në vendin e 10-të.