Manchester City është skuadra e parë angleze që ka fituar tripletën vendase me titujt e Premier League, Carabao dhe FA Cup.

Trofeu i tretë ka ardhur ditën e sotme me gola dhe spektakël teksa Qytetarët kanë mposhtur Watford me rezultatin e thellë 6-0 në Wembley.

Pep Guardiola nuk ka rrezikuar me prapavijën, por në sulm ka bërë rotacion nga ndeshja e fundit dhe ishte Gabriel Jesus që e nisi nga minuta e parë në vend të Aguero-s.

Braziliani është përdorur kryesisht në FA Cup dhe Guardiola i ka besuar edhe në finale.

Watford e nisi shumë mirë ndeshje, por City ia prehu krahët në minutën e 26’ me golin e David Silva-s.

Pak minuta më pas Sterling i ka vjedhur golin Jesusit duke dyfishuar rezultatin. Pas pushimit, Kevin De Bruyne ka trefishuar rezultatin përpara se Jesus të shënonte golin e merituar.

Dy golat e fundit të takimit i ka shënuar Raheem Sterling nga shumë pranë portës duke turpëruar akoma më shumë londinezët e Watford.