Ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, po ndjek kursin për drejtor sportiv, që po zhvillon aktualisht Federata Shqiptare e futbollit.

Ai e ka thënë disa herë se e sheh veten më shumë si drejtues klubi se sa si trajner.

Cana ka folur për kanalin e FSHF-së në lidhje me këtë kurs, duke theksuar se në futbollin e sotëm është shumë e rëndësishme që klubet të drejtohen nga njerëz të kualifikuar.

“Kursi po shkon shumë mirë. Doja ta realizoja për informacione personale.

Pjesa e drejtorit sportiv është diçka shumë e rëndësishme, ndoshta një nga gjërat më të rëndësishme, sepse janë persona që administrojnë klubet.

Është esenciale për ata që do administrojnë klubet, aq më tepër për vendin tonë, që është në zhvillim.

Personat që do të drejtojnë, kanë rëndësi të madhe. Planet e mia janë rreth futbollit dhe dëshira është të jem aty.

Pjesa e drejtuesit më pëlqen shumë dhe më pëlqen të kem një përvojë, Jam duke pritur projektin e duhur”, – ka thënë mes të tjerash Cana.