Sot Komisioni i Venecias do të japë vendimin përfundimtar sa i përket zhdekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga presidenti Meta në Shqipëri. E ndërsa më herët kishte deklaruar se do të shkonte, kreu i shtetit shqiptar ndërroi mendje duke dërguar këshilltarët e tij. Bledar Dervishaj, Arben Cici dhe Ilda Zhulali janë tre këshilltarët e Ilir Metës sot në komision, ndërsa ne mbledhje do të marrin pjesë edhe përfaqësues të mazhorancës. ‘Është propagandë. Komisioni i Venecias ka zero rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Vendimi apo mendimi i Komisionit të Venecias ka të bëjë me integritetin e Komisionit të Venecias, nuk ka të bëjë me integritetin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe me raportin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Kushtetutën e vendit tim. Kaq!” tha Meta mbrëmë.

Pak ditë më parë, Komisioni i Venecias doli me një draft-opinion paraprak, ku shkruhej se kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën me shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, megjithatë theksohej se vendimi për ta shkarkuar i takon Kuvendit dhe më tej e Gjykatës Kushtetuese. Por Meta reagoi menjëherë duke i kërkuar presidentit të Komisionit të Venecias Giani Buquicchio të reflektojnë mbi projekt-opinionin ku thuhet se presidenti i Republikës ka shkelur kushtetutën, duke thënë se kjo mund të ndikojë negativisht në zgjidhjen e krizës në vend.

Sipas Metës publikimi i tij në këtë kohë ka rindezur edhe njëherë polarizimin politik pikërisht kur palët sipas tij po rivendosnin një urë dialogu. Kreu i shtetit kërkon që shqyrtimi i kësaj çështjeje të marrë vëmendjen më të plotë të të gjithë anëtarëve të Komisioni të Venecias pasi sipas tij vjen në një kohë kur kriza e rëndë në vend po shkon drejt një zgjidhjeje. Sipas Metës Komisioni i Venecias nuk është në pozitën për t’u shprehur rreth situatës politike në Shqipëri, të cilën sipas tij do mund ta vlerësonte vetëm në rast të njohjes më të plotë të saj.

Pjesë nga intervista e Presidentit mbrëmë ku flet për Komisionin e Venecias
Presidenti Meta: Komisioni i Venecias ka zero rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Vendimi apo mendimi i Komisionit të Venecias ka të bëjë me integritetin e Komisionit të Venecias, nuk ka të bëjë me integritetin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe me raportin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Kushtetutën e vendit tim. Kaq!

Pra, ju po thoni se çfarëdo të thotë Venecia për ju nuk ka asnjë rëndësi?
Zero, nuk ka asnjë rëndësi!

Megjithatë, ju keni dërguar letra, keni dërguar atje raporte….
Jo vetëm aq, por në varësi me atë që do të shprehë Komisioni i Venecias unë do të vazhdoj aksionin tim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Parlamentin Europian, sepse do ta çojmë në vend edhe integritetin e Komisionit të Venecias në rast se Komisioni i Venecias cenon integritetin e vet. Del nga kompetencat e veta dhe hyn në lojëra politike për të thelluar një krizë politike në këtë vend.

Çfarë do të thotë integriteti i Komisionit të Venecias? Po thoni që është cenuar?
Do të thotë që Komisioni i Venecias t’i qëndrojë kompetencave të tij lidhur me çështjen e Kushtetutës, lidhur me çështjen e ligjshmërisë. Të mos fusë hundët në kompetencat e OSBE/ODIHR-it, sepse gjykatës ndërkombëtar i zgjedhjeve është OSBE/ODIHR-it. Nuk mund të jetë as Venecia dhe askush tjetër dhe OSBE/ODIHR-i ka pasur këtu një mision me 200 e ca veta për gati 3 muaj përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve dhe ka bërë një raport të qartë dhe përfundimtar, i cili është referenca për gjithçka. Për situatën politike, për krizën, për votimet, për çështjet ligjore të votimeve dhe të kodit zgjedhor, për çështjet e mediave, për gjithçka. Kjo është një histori e mbyllur.

Ju sapo thatë që Komisioni i Venecias të mos fusë hundët në lojëra politike. Akuzë e drejtpërdrejtë për komisionin? Keni një informacion apo është analizë? Kjo është për vlerësimet paraprake të këtyre raporterëve. Komisioni nesër (sot) do ta ketë mundësinë, por kjo nuk më intereson fare.