“Teatri do bëhet i mrekullueshëm”. Kështu u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në një intervistë për Report tv. Ai bën me dije se aktualisht është hapur gara për teatrin, ndërsa fton të gjithë ata që kanë një ide për godinën e Teatrit që ta paraqesin.

“Teatri do bëhet, do jetë një teatër i mrekullueshëm. Momentalisht jemi në fazën ku është hapur një garë për teatrin. Nëse dikush ka një ide alternative, të vijë ta paraqesë! Do të zgjasë 60 ditë siç janë rregullat e prokurimit publik. Është hapur gara në datë 22 korrik. Shtëpia ka tjegulla, shteti ka rregulla. Rregullat e shtetit thonë: 60 ditë garë, kush ka oferta të vijë t’i sjellë! Një teatër i cili sot është i rrënuar, që mjafton ta shohësh me sy të lirë midis Ministrisë së Energjisë dhe Teatrit se si ka rënë gjithë ai pupuliti që në thelb është një material i kohës së luftës kur bëheshin ndërtime me shpejtësi, për efekt të ushtrisë italine e cila avanconte dhe pushtonte vende të ndryshme”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se garancia për suksesin e dhe në këtë projekt të ri janë investimet e mëparshme sikurse sheshi “Skënderbej”, pazari, liqeni etj, që pavarësisht skeptikëve, kanë rezultuar një sukses i vërtetë dhe janë përqafuar tashmë nga të gjithë. Veliaj nënvizoi se referendumi edhe për këtë projekt ishte më 30 qershor, ku qytetarët votuan pro vijimit të punës nga Bashkia e Tiranës.

“Si një Bashki dhe si një qeveri që e ka dëshmuar që ku vë dorë kthehet cilësia, sheshi Skënderbej sot ka marrë çmim si sheshi me I bukur në Evropë, për 2018, për 2019 do bëjmë diçka tjetër. Erdha në datën 30 qershor. Pala që më thoshte, datën 30 qershor e kemi referendum kundër teje për teatrin, për bulevardin, sheshet për këto, s’u paraqit në referendum”, nënvizoi kryebashkiaku Veliaj, ndërsa ftoi opozitën që tashmë që nuk ka asnjë deputet, ta lirojë selinë e saj. “Tani, të politizosh çdo gjë, përkundrazi e redukton opozitën nga një shtëpi e madhe në një kotec. Sot ne jemi në një situatë ku PD ka selinë më të madhe sot në Shqipëri të një partie. S’ka asnjë deputet, asnjë kryetar bashkie, asnjë anëtar të Këshillit Bashkiak. Për sa kohë që ti nuk ke asnjë kontribut publik zyrtarisht, formalisht, ligjërisht për çfarë e mban këtë? Ajo mbahet me taksa, është pronë publike. Jepja teatrit! Sot Lulzim Basha ka mundësi ta mbajë fjalën tani, jo nesër se shqiptarët e hëngrën njëherë, më votoni se do bëj tramin dhe nuk u bë trami. E ka kollaj të falë gjëra që nuk i ka, të falë diçka që e ka, selinë e ka sot, ta falë me që nuk ka asnjë funksion publik PD”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se projekti nuk mund të pengohet nga një grup i vogël njerëzish.

“Edhe Teatri do bëhet dhe ata do të shohin nga gardhi. Por e them edhe njëherë, është fyese ndaj inteligjencës së njerëzve. Njerëzit në demokraci kanë mësuar që shumica vendos. Nëse nuk ke mendim dhe nuk vjen në zgjedhje s’ka problem, por ke humbur të drejtën që të japësh më opinione. Gjatë kohës që ishin me mua PD u çonte mesazhe, çohu dhe prishi takimin Lali Erit. Dhe u çuan e prishën. Ajo duhet të jetë mjaftueshëm fyese për t’u mbyllur në shtëpi. Pra në momentin që je aty si një lolo i partisë, s’je më artist. Në momentin që je aty si zëdhënës i partisë, dil fol nga SHQUP-i”, nënvizoi Veliaj.