Të gjitha shkollat në kryeqytet janë gati të mikpresin nxënësit për vitin e ri shkollor. Në prag të nisjes së vitit të ri, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me drejtuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit në mjediset e rikonstruktuara të shkollës “Dhora Leka”. Veliaj tha se po vijon ndërhyrja në çdo shkollë dhe se gjendja në to është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me 4 vjet më parë.

“Më vjen mirë që kemi një palestër të re, kemi transformuar gjithë hapësirat e tjera, si jashtë, ashtu dhe brenda shkollës. Njësoj si efekt domino, njëra pas tjetrës, nëse nuk kemi mbërritur ende tek shkolla juaj, është vetëm çështje kohe. Tre-katër vjet më parë ishte siklet se nuk kishim prekur shumicën e shkollave, kurse tani i kap me gishtat e dorës ato shkolla që ende kanë nevojë për një ndërhyrje, ku sigurisht nuk do të vonojë”, tha Veliaj, teksa shtoi se shkollat e reja kanë ulur numrin e nxënësve nëpër klasa.

Ai kërkoi prej mësuesve, por edhe prindërve, që nxënësit të regjistrohen në shkollën më pranë banesës së tyre, duke shmangur në këtë mënyrë jo vetëm mbipopullimin nëpër klasa, por edhe trafikun në qytet, duke kursyer disa orë të vlefshme të humbura.

Që çdo gjë të jetë gati, Bashkia e Tiranës do të organizojë më 14 shtator edhe një aksion të gjerë pastrimi në gjithë territorin e saj. Kryebashkiaku Veliaj ftoi stafin arsimor që të kontribuojë për ruajtjen e pastërtisë brenda mjediseve të shkollës, ndërkohë që ndërmarrjet e bashkisë dhe qindra vullnetarë, që priten t’i bashkohen kësaj nisme, do të kujdesen për ambientin jashtë. “Të shtunën kemi shpallur një ditë masive pastrimi.

Të gjithë mund të japim një dorë. Bashkia do mbulojë pjesën e Fushës së Aviacionit. Në këtë qytet nuk ka fëmijë që ndot, madje ata këmbëngulin që plehrat të hidhen në vendin e duhur. Ky është i vetmi qytet ku nuk u themi fëmijëve mësoni nga prindërit, por u themi prindërve mësoni nga fëmijët”, tha Veliaj.

Për të rritur sigurinë pranë shkollave, sikurse është bërë tashmë një traditë, pranë çdo shkolle do të ketë një punonjës të Policisë Bashkiake apo vullnetarë, që do të ndihmojnë të vegjlit të kalojnë vijat e bardha në kryqëzim. Këtë vit janë edhe një sërë risish të cilat futen, sikurse është roli i vullnetarizmit.