Tirana dhe Spliti i Kroacisë nisin një bashkëpunim të ri mes tyre, për shërbime më të mira për qytetarët. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim homologun e Splitit, Andro Krstulović Opara, me të cilin bisedoi mbi shtimin e marrëdhënieve mes dy qyteteve dhe shkëmbimin e eksperiencave më të mira. Kryebashkiaku Veliaj tha se është e nevojshme që marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy kombeve dhe qeverive qendrore, të shoqërohen edhe me një bashkëpunim konkret mes dy qyteteve.

Është një kënaqësi shumë e veçantë sot që kam mikun tim, kryetarin e Bashkisë së Split-it, i cili viziton Tiranën. Para disa muajsh kishim këtu presidenten e Kroacisë, me të cilën diskutuam se ka ardhur nevoja që, ashtu siç jemi bashkë në qeverinë qendrore, të jemi bashkë edhe në qeverinë lokale. Kemi shumë për të mësuar nga Spliti, një qytet i cili ka qenë epiqendra e tregtisë, e forcës detare, sot epiqendër e turizmit. Jam i lumtur që edhe Spliti ka disa gjëra për të mësuar nga Tirana, kur vjen puna te mbjellja e pemëve, te një qytet i qëndrueshëm”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Splitit, Andro Krstulović Opara falenderoi kryebashkiakun e Tiranës për mikpritjen dhe theksoi se të dyja bashkitë kanë mundësi të përfitojnë nga eksperienca më të mira për projektet që ato kanë zbatuar. Ai vlerësoi në mënyrë të veçantë zhvillimin që ka pësuar Tirana, duke u shndërruar në një qytet të gjallë dhe plot jetë.

Veliaj shtoi se bashkëpunimi në nivel lokal është i domosdoshëm për t’u përkthyer në punë konkrete dhe lehtësira për qytetarët.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i Splitit theksoi nevojën për bashkëpunim konkret mes të gjitha vendeve që lagen nga Adriatiku, për të krijuar infrastrukturën e përshtatshme që njerëzit dhe mallrat të lëvizin më lirshëm.

Jemi nisur nga Spliti me makinë, ishin 10 orë udhëtim, por gjithashtu ishin 10 orë të këndshme. Mjafton të themi se kemi një distancë prej vetëm 500 kilometrash, por mungojnë rrugët, pra infrastruktura. E rëndësishme është që kryebashkiakët përgjatë bregut të Adriatikut, bashkë me qeveritë qendrore, të bëjnë një hap përpara për më shumë impenjim për të lidhur vendet dhe qytetet tona. Kjo është e rëndësishme edhe për integrimin e Shqipërisë në vendin ku duhet të jetë, në Bashkimin Europian”, tha Opara.

Ndërkaq, ai siguroi se Kroacia do të jetë një avokate e Shqipërisë dhe Maqedonisë në samitin e Zagrebit, që do të mbahet vitin e ardhshëm, për çeljen përfundimtare të negociatave.

Në shenjë të vazhdimësisë së miqësisë mes qytetit të Splitit dhe qytetit të Tiranës, dy kryebashkiakët mbollën edhe një pemë në Parkun Europa.