Krahas sporteve popullore si futbolli, basketbolli apo volejbolli, edhe tenisi po bëhet gjithnjë e më shumë një sport i preferuar për qytetarët e Tiranës, dhe në mënyrë të veçantë për të rinjtë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndoqi finalet e ndeshjeve për meshkuj dhe femra të turneut “Tenis Europë U-16”, ku theksoi se çdo zonë e kryeqytetit do të ketë një fushë tenisi për të nxitur të rinjtë që të merren sa më shumë me këtë sport elitar.

“Do të vazhdojmë me hapësira tenisi siç kemi bërë tek shkollat “Petro Nini”, “Vasil Shanto”, “Ismail Qemali”, do të marrim shumë shpejt edhe hapësirat e tenisit tek Liqeni i Tiranës. Besoj se do të kemi fusha cilësore tenisi, ku fryma e mirë që ka filluar në Parkun Kombëtar të Sporteve, të mund të shpërndahet nëpër gjithë qytetin”, tha ai, gjatë ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve për turnen ndërkombëtar të tenisit, që u mbajt në Tiranë në Qendrën Kombëtare të Tenisit.

Ai u shpreh se investimi në sport është investimi më i mirë për gjeneratat e ardhshme, jo vetëm sa i përket përgatitjes dhe shëndetit fizik, por edhe për formimi e karakterit të çdo njeriu. “Jam shumë i lumtur që kemi ecur kaq shumë me parkun kombëtar të sportit, për faktin se Federata, sipërmarrja private dhe agjenci të tjera shqiptare, e shikojnë sportin si fibrën që e lidh komunitetin tonë. Ne themi shpesh, ndoshta nuk do dalin të gjithë kampionë, po ideja që fëmijët, rinia, po merret me sport, që rri larg rrugës, larg veseve, në vende të sigurta, në mjedise të ruajtura e të shëndetshme si kjo, në vende ku mësojmë si fitojmë me përulësi, mësojmë edhe si humbim me këmbë në tokë, s’ka çmim”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.

Ndaj, ai ftoi të gjithë prindërit që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në një nga kurset sportive që ushtrohen sot në shkollat e kryeqytetit, pasi vetëm kështu i garantohet një e ardhme më e mirë Tiranës. “Ftesa për gjithë prindërit është të regjistrojmë fëmijët edhe në një kurs sportiv, ku tenisi është ndoshta sporti më elitar dhe më elegant. Nuk mendoj se mësojmë vetëm nga librat, por mësojmë edhe nga kontakti që kemi me njëri-tjetrin; mësojmë që jeta ka edhe fitore, edhe humbje. Mezi pres që këtë vit, përveç 62 shkollave që i kemi kthyer në hapësira komunitare, ku pasdite luhet tenis, futboll, basketboll, volejboll, të shtojmë regjistrimet dhe të sigurohemi që një ushtri çunash e gocash nga Shqipëria kthehen ndoshta në kampionët e ardhshëm, nga ata që do ngrenë flamurin shqiptar në garat e ardhshme”, u shpreh Veliaj.