Erion Veliaj do të bëjë nesër betimin për të nisur mandatin e dytë për transformimin e Tiranës në një qytet europian dhe bashkëkohor. Betimi i Veliajt do të bëhet para Këshillit të ri Bashkiak, i cili po ashtu do të konstituohet gjatë ditës së martë. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku, gjatë takimit ku po prezantohen punimet e disa studenteve të Harvardit me fokus shtimin e hapësirave për fëmijët.

“Sot është zyrtarisht aktiviteti im i fundit për mandatin e parë dhe e mbyll në këtë notë bisedën e gjithë gjërave që kemi bërë në mandatin e pare. Nga nesër fillojmë një rrugëtim të ri, me ceremoninë e betimit pasdite, dhe më pas me punën rutinë. Ajo që ma mbushi zemrën me gëzim është fakti se fëmijët kanë qenë refreni i këtij mandati të parë, i këtyre katër viteve të para, dhe besoj se nuk kishte mënyrë më të mirë se sa ta mbyllnim prapë me një temë që ka të bëjë më fëmijët, me mënyrën se si do i formësojmë lagjet tona, qoshkat, sheshet poshtë pallatit në një nivel kapilar”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu theksoi se përvoja e mandatit të parë do i shërbejë shumë Bashkisë së Tiranës në këtë mandat të dytë për të bërë tashmë gjërat dhe sidomos investimet për fëmijët dhe të rinjtë si e ardhmja e këtij vendi nëpërmjet një studimi dhe jo thjesht me imagjinatë.

“Sot e kemi luksin dhe mundësinë që të kalojmë në një nivel tjetër, kemi mësuar shumë gjëra në këtë mandat të parë dhe besoj se një ndër gjërat që kemi mësuar është se t’i shohim fëmijët apo të rinjtë si e ardhmja. Kemi gjetur prej vitesh një alibi për të mos u marrë me ta sot dhe për të thenë, bravo ti je ke ardhmja, do të thotë që me ty do të merremi më vonë, ndërkohë që e kemi ndryshuar këtë filoziofi. Kemi filluar të flasim për fëmijët sot, për të rinjtë sot, për ata që janë kujdestarë, qofshin edukatorë, mësueset, nënat, dadot, sot, pra për ata që i aksesojnë këto shërbime sot. Besoj urgjenca e fjalës sot është diçka që na mobilizon për të bërë një planifikim shumë serioz në katër vitet që vijnë”, tha Veliaj.