Nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi tha se nuk pritej që Presidenti Ilir Meta të mos dekretonte kandidaturën e Sandër Lleshit për në postin e ministrit të Brendshëm.
E ftuar në studion e Ora News, deputetja Socialiste nënvizoi se një veprim i tillë nuk parashikohet as në Kushtetutë, pasi Presidentit I jepet e drejta të kthejë vetëm ligjet.

“Do të doja të theksoja që nuk e kisha menduar që kandidatura e z.Lleshi nuk do të dekretohej. Ne kemi marrë një mandat 4-vjeçar për të qeverisur dhe Kushtetuta e përcakton qartë që është kryeministri i vendit që propozon emra për ministrat dhe ata dekretohen nga Presidenti.
Në Kushtetutë nuk ka ndonjë nen që thotë që Presidenti ka të drejtë të mos dekretojë ose të kthejë mbrapsht një emërim të kryeministrit. I vetmi rast, kur Presidenti ka të drejtë të mos i dekretojë janë ligjet që mund t’i rikthejë vetëm një herë.
Kompetencat e Presidentit janë të parashikuara në Kushtetutë. Aty thuhet se është komandat i Forcave të Armatosura dhe e dyta ka kompetenca që lidhen me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, që në këtë rast nuk është mbledhur. Ajo që doja të theksoja pa dashur ta gjykoj, Presidenti përfaqëson unitetin e popullit. Populli në këtë moment pavarësisht partive politike, ka disa përparësi”, tha Hysi.
Deputetja Socialiste u shpreh se aktualisht ende nga institucioni i Presidentit nuk ka një argumentin se përse nuk u pranua propozimi për emërimin e z. Lleshi ministër të Brendshëm.