Vajza e këngëtarit korçar Stefi Prifti, Maria, vetëm pak ditë më parë i dha fund beqarisë dhe celebroi martesën me piktorin e njohur Gëzim Meta. Të ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ata rrëfyen edhe momente të veçanta të historisë së tyre të dashurisë.

Një ndër ta, siç tregon Maria, ka qenë edhe takimi i babait të saj me partnerin. Ajo u shpreh se për shkak të pamjes, ashtu si vetë sopranoja edhe babai i saj kishte dyshime nëse ishte vërtetë piktor apo jo.

“Ne jemi parë për herë të parë në një lagje të Tiranës, unë isha duke pirë kafe me dy mikeshat e mia dhe Gëzimi ka qenë duke hapur studion e pikturës përbri kafes. Ishte duke punuar bashkë me babain e tij. E pashë dhe shoqja ime më thoshte: “Shikoje se edhe ai po të shikon”. Kur e pashë Gëzimin nuk mendova se do ishte piktor, mendova se do hapte ndonjë kompani bastesh. Me këtë pamje mu duk sikur s’kishte lidhje me pikturën. Më pas kur u takuam dhe më tha që ishte piktor, u habita, s’më besohej. Pasi i tregova babait erdhi momenti që do të takoheshin për herë të parë. Ka qenë siklet i madh. Pas takimit pyeta babin: “Si t’u duk?” Djalë i mirë mu duk më tha, por një pyetje kam: “E ke parë me sytë e tu që ky pikturon?” Mu duk shumë i dyshimtë më tha. Ka qenë për të qeshur sepse donte ta kapte mat Gëzimin dhe e pyeste: Me çfarë pikturon ti? Me penel? Po i përgjigjej Gëzimi. Ka qenë shumë gallatë. Më pas erdhi propozimi për martesë në ditën e ekspozitës së parë të Gëzimit”, tregoi Maria.

“Unë i pëlqej shumë surprizat. Doja që të ishte propozim shumë i veçantë, askush nuk e priste sepse ishte një event shumë serioz për mua”, u shpreh Meta./tvklan