Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian Ursula von der Leyen deklaroi sot se sigurimi i një rruge drejt anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian është “i një rëndësie strategjike” për bllokun.

Në një prononcim për mediat pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel në Berlin, Presidentja e KE-së theksoi se është tepër e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të lidhen sa më shumë të jetë e mundur me BE-në.

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian, e cila pritet të marrë detyrën më 1 dhjetor, u shpreh se Tirana dhe Shkupi kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të mbërritur në stadin që BE-ja u ka kërkuar të arrijnë, duke shtuar se ajo do të kërkojë rrugë alternative për forcimin e marrëdhënieve me këto vende.

“Përsa kohë nuk do të jetë e mundur hapja e bisedimeve të anëtarësimit, unë do të përdor të gjitha energjitë e mia në zhvillimin e projekteve të përbashkëta, që do t’i lidhin këto vende gjithnjë e më shumë me ne përmes bashkëpunimit të ngushtë”, deklaroi ajo, duke shtuar: “Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë të tjerë do ta mbushin këtë boshllëk dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë”, sipas “Politico”.