Bashkëlojtari i Cristiano Ronaldos tek Portugalia, Mario Rui mendon se ylli portugez është i pangopur, në kërkim të sukseseve të reja. Portugezët e bënë një hap tjetër drejt kualifikimit në Euro 2020

Cristiano Ronaldo është lojtari më i mirë në botë dhe gjithmonë është i uritur për më shumë, thotë bashkëlojtari i tij tek Portugalia, Mario Rui.

Ronaldo e inspiroi Portugalinë drejt fitores 6:0 ndaj Lituanisë në ndeshjen kualifikuese të Euro 2020, duke realizuar “Hat-Trick” të enjten mbrëma.
Ndërsa, Rui e ka lavdëruar 34 vjeçarin, i cili e dërgoi Portugalinë afër kualifikimit në evenimentin që do të mbahet vitin tjetër.

“Ai është më i miri në botë, kurrë nuk lodhet nga fitoret, duke kërkuar më shumë dhe uria që e ka e bën atë të është ai që është”, deklaroi mbrojtësi i majtë i Napolit për “A Bola”.

“Ne jemi të lumtur që e kemi atë në ekip dhe shpresoj që ai të vazhdojë të na sjellë gëzime siç ka bërë deri tash”, vazhdoi futbollisti portugez.

Pizzi, Goncalo Paciencia e Bernardo Silva shënuan po ashtu për Portugalinë, e cila është e dyta në Grupin B me 14 pikë, prapa Ukrainës, që i ka 19 pikë dhe përpara Serbisë (13).