Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi një takim me drejtoren e UNESCO, Mechtild Rössler ku në fokus të diskutimeve ishin plani i menaxhimit të Beratit, Gjirokastrës dhe i Ohrit i përfshirë pak muaj më parë në këtë trashëgimi botërore.

“Një takim shumë i frutshëm ai i djeshmi me Drejtoren e UNESCO World Heritage Center, Mechtild Rössler. Diskutuam mbi planin e menaxhimit të Beratit, Gjirokastrës, për Ohrin e përfshirë pak muaj më parë në UNESCO”, shprehet ministrja Margariti për këtë takim.

Gjithashtu gjatë këtij takimi drejtoria e UNESCO-s Rössler shprehu mbështetjen e plotë për mënyrën e menaxhimit të integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit.

“Rössler u shpreh shumë e interesuar për planin e menaxhimit të integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit, duke shprehur mbështetjen e plotë për këtë mënyrë menaxhimi, duke iu përmbajtur rekomandimeve të UNESCO-s”, tha ministrja e Kulturës Margariti.

Plani i menaxhimit të integruar i Parkut Kombëtar të Butrintit parashikon të adresojë çështje të cilat janë të mbartura nga shkuara dhe nga ana tjetër të jap zgjidhje mbi kontekstin e ri të krijuar me ligjin e trashëgimisë. Bazuar mbi këtë ekspertizë plani i ri i menaxhimit do të ofrojë udhëzime dhe politika, bazuar në praktikat më të mira për menaxhimin e integruar të vlerave kulturore dhe natyrore; të bëjë propozime për mundësitë e zhvillimit ekonomik në sit dhe përreth tij (zona tampon) duke përfshirë aktivitetet e turizmit dhe kohës së lirë; të propozojë një strukturë menaxhimi për funksionimin e sitit dhe të rrisë kapacitetet e stafit drejtues të parkut.

Në përfundim, plani i ri do të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkun Kombëtar të Butrintit 9,000 ha.