Ende jemi në muajin gusht, por Julen Lopetegui është duke e vendosur autoritetin e tij dhe po dëshmon se ai është tani shefi në Real Madrid. Ai mori një seri vendimesh të dielën, të cilat trajnerë tjerë në pozitën e tij mbase kurrë nuk do të kishin pasur guxim t’i merrnin, shkruan e përditshmja spanjolle “Marca”.

Së pari, ai e la talentin e sapo transferuar Vinicius Junior jashtë skuadrës për ndeshjen në udhëtim kundër Gironës, duke e çuar të luajë për Castillën, ekipin B të Realit.

Sa i përket formacionit startues për këtë ndeshje të vlefshme për javën e dytë të La Ligës, ai përsëri e uli në stol portierin Thibaut Courtois dhe portën ia besoi Keylor Navasit, një vendim që i ka habitur disa duke marrë parasysh shumën e parave që Madridi e investoi në belgun gjatë këtij afati kalimtar. Po ashtu, trajneri spanjoll i la në stol edhe dyshen Raphael Varane dhe Luka Modric, në vend të të cilëve i futi Nachon dhe një mesfushë me tre, Isco, Toni Kroos dhe Casemiro. Befasia e tretë gjatë këtij takimi erdhi më vonë, kur ai e largoi nga loja Marcelon gjysmë ore para përfundimit. “Zëvendësimi më habiti, por e respektoj vendimin e trajnerit”, tha mbrojtësi veteran Marcelo, duke shtuar se nuk ka qenë i lënduar apo i papërgatitur fizikisht.

Atëherë, është e qartë se Lopetegui nuk do të ketë frikë të marrë vendime të mëdha dhe ai do ta bëjë atë që ndien se është më e mira për klubin.