Qeveria shtrin investimet në Voskopojë për të filluar një udhëtim të ri nëpërmjet një projekti që do t’i japë të gjithë potencialin për t’u shndërruar në një pikë referimi për turistët jo vetëm në festat e fundvitit apo në fundjavë, por në të 365 ditët e vitit.

Voskopoja është përfshirë në programin e 100 fshatrave si model i integruar ekonomik dhe social i zhvillimit rural.

Koordinatorja Kombëtare e Programit Elda Margariti prezantoi jo vetëm potencialet kulturore dhe agroturistike të kësaj zone por edhe investimet kryesore të qeverisë.

“Kam ardhur disa herë në Voskopojë dhe ka një veçanti pasi Voskopoja më ka bërë të ndjehem menjëherë pjesë e saj. Besoj shumë tek alkimia që krijohet midis njerëzve dhe udhëve që i lidhin këto vendet dhe njerëzit. Voskopoja e ka këtë lloj alkimie. Ajo të fal paqen e natyrës, kalldrëmet e kishat e saj me afresket mbresëlënëse të rikthejnë në kohë. Voskopoja për mua është sinonim i kulturës, historisë dhe mikëpritjes së ngrohtë të një stili tejet të veçantë të mirëmbajtjes së shtëpive të një kulinarie mbresëlënëse. Të gjitha këto janë dëshmi unikale”, tha ajo.

Ajo e konsideroi të rëndësishme që këto potenciale dhe vlera të Voskopojës të bëhen të njohura dhe të promovohen, mbi të gjitha ato që po vihen deri diku në pluhurin e harresës.

“Magjia e Voskopojë s’duhet mbuluar nga pakujdesia ose mungesa e një vizioni madhor. Me dëshmi dhe pasuri unikale është Manastiri i Shën Prodhomit, sot monument kulture, ka qenë një gur i një qytetërimi. Duke iu rikthyer alkimisë së njerëzve dhe udhëve, do doja ti kujtoja se sipas biblës, Shën Prodhomi është mbrojtësi i udhëve dhe i udhëtarëve. Vizioni i projektit është që mos të humbasim dëshmitë unikale të Voskopojës, të rivitalizojmë potencialin e saj në turizëm malor kulturor dhe agroturizëm”, vijoi ajo.

Turizmi në Voskopojë 70% të aktivitet ekonomik të saj. Pra mikëpritja që ky vend u bën udhëtarëve që vijnë drejt saj i jep jo vetëm emër por edhe jetë reale vendit.

Voskopoja ka shumë për të marrë nga mikëpritja e saj. Janë bërë dhe po bëhen për këtë shumë ndërhyrje, rikonstruksione të qendrës, rrugëve, kalldrëmeve, të monumenteve të kulturës të Kishave, të rrugës nga Voskopoja për në Manastir në urën e Shën Prodhomit. Gjithashtu është duke u bërë rehabilitim mjedisor me mbjellje pemë shtrim përmirësim rrjet elektrik.j.j