Ditën e djeshme, kreu i qeverisë së Kosovës i cili dha dorëheqjen, Ramush Haradinaj, u nis drejt Hagës për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale. Ish-kryeministri do të gjykohet për krime lufte si udhëheqës i UÇK-së, ndaj ka preferuar që të jetë një qytetar i thjeshtë para ligjit, duke dhënë dorëheqjen e tij.

Kryeministri kishte planifikuar të udhëtonte me një fluturim të rregullt të kompanisë “Austrian Airlines”. Mirëpo, sipas zëdhënësve të tij, fluturimi është shtyrë për disa orë. Për këtë arsye, Haradinaj është detyruar të udhëtojë me aeroplanin privat të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, për të mbërritur në Hagë.

Ditën e djeshme, bashkëshortja e Hardinajt, Anita, i preku të gjithë me një dedikim special që kishte përgatitur për bashkëshortin e saj, ku i tregonte se e mbështeste një popull i tërë.