Shkolla e Pezës u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, duke u bërë e pasigurt për të vijuar normalisht mësimin. Ndaj, Bashkia e Tiranës nisi sot prishjen e saj për t’i hapur rrugë rindërtimit sa më parë, në të njëjtin vend, të një shkolle të re, më të madhe dhe më të bukur se e para. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi pasditen e djeshme punimet për prishjen e godinës ekzistuese të shkollës dhe theksoi se i njëjti proces do të kryhet për çdo ndërtesë që nuk ofron siguri, qoftë kjo një ndërtim privat apo një objekt publik.

“Jemi në një situatë ku nuk do marrim asnjë risk në qytetin e Tiranës. Për të gjitha ndërtesat që janë certifikuar si të pabanueshme ose të papërdorshme, do të fillojmë procesin e prishjes, për t’i bërë më të reja dhe më të bukura. Rasti i parë është rasti i shkollës në Pezë, e cila në tërmetin e datës 21 shtator pati pak dëmtime, kurse në tërmetin e 26 nëntorit pati dëmtime në konstruksion. Është një shkollë 40-50 vjeçare, për 200 nxënës, por do ta bëjmë më të madhe, për 300 nxënës, do të shtojmë edhe palestrën”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Tirana nuk mund të rrezikojë jetët e qytetarëve të saj për ndërtime që nuk ofrojnë garanci se janë mjaftueshmërisht të qëndrueshme dhe që nuk përbëjnë rrezik për të ardhmen. “Në këtë fazë është shumë e rëndësishme, nëse është shkollë, apo nëse është një ndërtesë industriale, apo nëse është një ndërtesë private, siç mund të jenë pallatet, kur vendimi zyrtar thotë se janë të pabanueshme, nuk do marrim më asnjë risk. Duhet që nga çdo eksperiencë, nga çdo sfidë, të bëhemi më të përgatitur për sfidën dhe eksperiencën e ardhshme”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se për çdo familje, të cilës do t’i prishet pallati pasi nuk ofron më garanci për qëndrueshmërinë e tij, Bashkia e Tiranës do të ofrojë një qira 1 vjeçare. “Për të gjitha pallatet që do të shpallen të pabanueshme, Këshilli Bashkiak do të miratojë një qira 1-vjeçare, që të sigurohemi që secili ka një strehë të sigurt mbi kokë, që jeta fillon normalisht, që do të ecim përpara dhe rikuperojmë nga e gjithë kjo fatkeqësi; ama, që të na japi edhe kohë 1 vit, që të vendosim se çfarë do bëjmë me këto ndërtesa të pabanueshme”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se për rastet kur dëmtimet janë të lehta dhe nuk kanë prekur strukturën mbajtëse do të behet rikonstruksioni, ndërsa për rastet kur kjo është e pamundur për shkak të dëmtimeve të rënda do të bëhet rindërtimi nga e para. “Ku mund të bëjmë rikonstruksion, do bëjmë rikonstruksion; ku do të duhet që t’i bëjmë të reja, do t’i bëjmë të reja; ku do të duhet që, ndoshta të mos punojmë fare më në atë zonë, do të duhet që të blejmë apartamente, ose të gjemë skema të tjera të strehimit në Tiranë. E rëndësishme është që të ngrihemi më të fortë seç ishim në këto ditët e fatkeqësisë, duke filluar nga rindërtimi i shkollave, deri tek rindërtimi i banesës për çdo qytetar të Tiranës, që sheh te qyteti dhe shteti i tij një mundësi për të rikuperuar nga gjithë kjo tragjedi, jo e vogël që na ngjau”, tha Veliaj.