Ndërtimi i 500 banesave nga Turqia si shprehje e solidaritetit për të prekurit nga tërmeti mund të shoqërohet me ngritjen e një numri xhamish në zonat ku do të rindërtohet.

Ambasadori turk në Tiranë, i cili ishte këtë të premte në Ministrinë e Kulturës për të koordinuar punën për përmbushjen e premtimit të presidentit Erdogan nuk mohoi ngritjen e objekteve të kultit të besimit islam krahas banesave sociale. I pyetur nga TemA TV, ai la të kuptohet se projekti është në mirëkuptim me palën shqiptare.

Murat Ahmet Yörük, Ambasador i Turqisë në Tiranë: “Pas ndërtimit të këtyre ndërtesave mund të sjellë nevojën e ndërtimit të disa, të themi nevojave sociale, për shembull në kuadër të këtij projekti është edhe një park fëmijësh, do të ketë hapësira tregtare, do të ketë parkingje. Domethënë të gjitha ato që nevojiten për një jetesë sa më komode, do të jenë të gjitha të përfshira në këtë projekt.

Dizenjimi nuk është bërë akoma. Dizenjimi do të bëhet në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Por, më e rëndësishme është strehimi i këtyre personave të cilët kanë humbur shtëpitë dhe kanë nevojë të kalojnë në shtëpi të reja sa më shpejt. Qëllimi ynë është që t’u japim atyre një cilësi jetese ndoshta edhe më të mirë nga çfarë kanë jetyuar më përpara.”

Ndërsa zëvendëspresidenti i Entit të Banesave të Turqisë saktësoi se cila do të jetë zona ku Turqia do të vërë në zbatim planin e rindërtimit.

Z. Mustafa Levent Sungur, zv.president, Enti i Banesave të Turqisë: “Kemi marrë udhëzime që të fillojmë me zonën e Laçit dhe po punojmë për studimin dhe përmirësimin e terrenit atje. Më pas do të vijojmë me ndërtimin e godinave të tjera, atje ku do të përcaktohen. Do të bëjmë dizenjimet paraprake dhe do t’i ndajmë me ju”.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti në cilësinë e koordinatores për Planifikimin e Projekteve të Rindërtimit shpjegoi arsyet pse është përzgjedhur zona e Laçit për këtë projekt.

“Do të ishte shumë e thjeshtë që prekjet të zhvilloheshin në zona rezidenciale, por ne mendojmë që shtresat në zonat rurale, ku dëmi ekonomik dhe psikologjik është shumë i madh, ende e kanë shumë të nevojshme mbështetjen”.

Ndërtimi sipas ambasadorit turk nuk do t’i lihet në dorë qeverisë shqiptare, por do të bëhet nga vetë shteti turk.

Murat Ahmet Yörük, Ambasador i Turqisë në Tiranë: “Përderisa kjo fjalë është dhënë nga presidenti ynë, realizimi i këtij projekti do të bëhet direkt nga shteti ynë ne po punojmë me një bashkëpunim shumë intensiv me znj. Margariti, sepse siç e dini duhet ta kryejmë sa më shpejt, sepse dhe i ftohti i dimrit po afron.”

Lidhur me projektin e qeverisë turke për ndërtimin e banesave, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama pritet të udhëtojë drejt Turqisë ku do të takohet me Presidentin Erdogan për t’u njohur me detajet. Tema/