Mirëpo kuqezinjtë kanë një sfidë të vështirë, pasi Turqia duket një përfaqësuese e transformuar nën drejtimin e Gynesh, dhe nuk është aspak rastësi që ndodhen në vendin e parë përpara Francës.

Kanë sulmin e dytë më të mirë në grup me 14 gola të shënuar dhe kanë mbrojtjen më të mirë, vetëm dy gola të pësuar. Edi Reja u ndal te sulmi i Turqisë në konferencë për shtyp por shifrat tregojnë se mbrojtja është pika e tyre më e fortë.

Përtej shifrave që ka prodhuar grupi H, transferta e Turqisë nuk është një mision i pamundur për kuqezinjtë, këtë e vërtetojnë dhe përballjet ndërmjet tyre.

Kjo është sfida e 12-të që dy përfaqësueset do të luajnë: 4 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje, 14 gola të shënuar dhe 12 të pësuar, ky është bilanci i Shqipërisë. Nga 4 fitore që Shqipëria ka arritur përballë Turqisë, interesant është fati se 3 prej tyre i ka arritur në transfertë, një tjetër arsye e fortë për të besuar se kjo nuk është një sfidë e pamundur.