Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në gjysmën e këtij viti, rritja e turizmit nuk ishte vetëm në kahun hyrës, por edhe shqiptarët shpenzuan rreth 700 milionë euro për udhëtime jashtë vendit, duke thyer një rekord të ri historik për këtë sezon veror.

Sipas statistikave në bilancin e pagesave, paratë që janë shpenzuar jashtë vendit kryesisht për udhëtime turistike, nga janari deri në qershor 2019 arritën vlerën e 697 milionë eurove.

Ndërsa për sezonin e verës, transfertat jashtë vendit për këtë qëllim arritën 425 milionë euro, duke thyer një tjetër rekord historik.

Tendenca për të pushuar më shumë jashtë vendit, është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Vetëm vitin e shkuar shtetasit shqiptarë shpenzuan jashtë vendit rreth 1 miliard e 382 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, vitin e shkuar, hyrjet dhe daljet e tyre në kufi regjistruan shifrën e 8 milionë e 300 mijë lëvizjeve, ndërsa udhëtimet përmes ajrit u rritën me 10%.