Kjo është pamja që ka sot zona e njëohur si “Selvia” pas shembjes së ndërtimeve pa leje.

Teksa inspektoi zonën, kryebashkiaku Veliaj tha se zaptuesit e kësaj hapësire ishin politikanë me lloto e bingo.

“Një projekt që filloi me sherr, si shumica e gjërave të bukura në Shqipëri, me shamatë, me përplasje me politikanë që kishin bingo, baste, dyqane, që ia kishin hipur sipër Vojo Kushit, si Vojo Kushi tankut. Tani të gjitha duken të kaluara, strese që i përkasin të shkuarës, sidomos kur një punë del mirë dhe ka duk.”

Paralelisht me punimet në Njësinë 8, kantieret e punës vijojnë edhe në zona të tjera.

Ndërsa në prag të 75-vjetorit të çlirimit të vendit, ka nisur edhe fushata e mbjelljeve.

“Më vjen mirë që nisim këtu me mbjelljen e një peme fushatën tonë të mbjelljeve, që këtë vit jam i sigurt se do të kalojë çdo rekord. I ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës, duke filluar nga ata të Selvisë ku ne mbjellim sot pemët e para, e deri tek ata që janë më në periferi, ku po bëjmë pyllëzimet masive, si në Allgjatë, në Dajt apo Farkë.”

Në këto katër vite Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të posaçme krijimit të këtyre mikrohapësirave mes lagjeve, por edhe ruajtjes së monumenteve të figurave të rëndësishme që kanë kontribuar për atdheun.