Juventusit i është refuzuar oferta e parë nga Ajax për Matthijs De Ligt. Bëhet fjalë për 55 milionë euro, plus 10 milionë të tjera në formë bonusesh, ndërkohë që kampionët e Holandës nuk pranojnë të zbresin poshtë shifrës së 75 milionëve. Për pasojë, gjigantët e Amsterdamit po presin një propozim të ri nga bardhezinjtë, meqë kanë arritur akordin me vetë futbollistin 19-vjeçar.

Ky frenim në negociata shpreson të shfrytëzohet nga Barcelona, për t’u rikthyer në mënyrë vendimtare në garën për qendërmbrojtësin e ri. Blaugranët u tërhoqën nga ky “ankand” për shkak të kërkesave të tepruara të Mino Raiolës, që kishte gjetur marrëveshjen me kampionët italianë. Sidoqoftë, kjo nuk mjafton.

Për këtë arsye, bardhezinjtë mund të përdorin “asin në mëngë” për ta mbyllur marrëveshjen edhe me Ajax. Bëhet fjalë për Moise Kean, tashmë i kërkuar nga holandezët edhe më parë. Siç raportohet nga “Il Corriere dello Sport”, përfshirja e këtij lojtari nuk do të ishte një mënyrë për të zvogëluar shpenzimet ekonomike, por mënyrë për të mbërritur me patjetër te De Light. Juventusi do të preferonte të ruante të drejtën e një pjese të kartonit të sulmuesit 20-vjeçar, i vetëdijshëm për cilësitë e tij të mëdha.

Kean, në mars u bë golashënuesi i dytë më i ri në historinë e skuadrës kombëtare italiane. Për lojtarin në fjalë është hedhur poshtë një ofertë e favorshme nga Everton, kohët e fundit. Situata mund të jetë ndryshe me Ajax, sepse bëhet fjalë për një negocim të rëndësisë kapitale, që ka në qendër një element të spikatur mbrojtës, edhe pse vetëm 19 vjeç.

Asgjë nuk duket se po lëviz për rinovimin e kontratës së sulmuesit të ri juventin, që skadon për një vit. Disa zëra thanë se Kean do të nënshkruajë deri në vitin 2024, gjë që nuk do ta përjashtonte apriori një largim për në Amsterdam. Moise Kean drejt përfshirjes në operacionin për De Light? Të presim e të shohim, Juventusi po reflekton…