Mero Baze/

Opinioni i Komisionit të Venecias ende nuk është bërë zyrtar, por përpjekja mediatike e Ilir Metës, për ta zhbërë atë, është në kulmin e saj. Nuk kam ndërmend të polemizoj me zyren presidenciale qe e quan ate paturpesisht “trakt”, biles dua të them që ia mirëkuptoj hallin. Deklaraten e Ilir Metes, se do jepte doreheqjen nga posti, nese Venecia do ia quante çdekretimin e zgjedhjeve shkelje të kushtetutes, zyra e tij e shtypit mund ta neutralizojë, vetëm duke quajtur trakt, dokumentin më të rëndësishëm ndërkombëtar për krizën politike shqiptare, ose duke folur për përjetimet e Presidentit rreth divorcit të Sokol Ballës.

Nga këndvështrimi i përplasjeve të brendshme politike, opinioni i Venecias është më i rëndësishem se se vendimi i Bundestagut për hapjen e negociatave, më i rëndesishëm nga rekomandimi i Komisionit Evropian për hapjen e tyre, më i rëndësishëm se vendimet e parlamenteve te Frances, Hollandes dhe të gjithë shteteve anëtare të BE-se, biles edhe më i rëndësishem se vendimi i Këshillit te Ministrave te BE-se për hapjen eventuale të negociatave.

Te gjitha këto vendime politike, kane lidhje me vlerësimin e Shqipërisë si vend, me meritat dhe dështimet tona si popull. Përpara tyre, ne jemi të gjithë “Një”.

Kurse tek opinioni i Venecias, hesapet jane te ndara. Kush është me të drejtën ka emër dhe kush është shkelës dhe dhunues i kushtetutes, gjithashtu ka emer. Venecia e tregon me gisht të mirin dhe të keqin, për çdo rast dhe për çdo episod të konfliktit tonë politik.

Fakti qe i keqi, shkelësi dhe dhunuesi i kushtetutës në shumicën dërrmuese të analizes, është Ilir Meta, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i vënë me vetedije në shërbim të strategjisë së PD-së dhe LSI-së për “ndërprerjen e funksionimit kushtetues dhe ligjor të shtetit”, nuk mund të jetë arsye e mjaftueshme për median dhe opinionistët, që ta lexojne me “tolerance”, “keqardhje”, “mirëkuptim” e “shpirtmadhesi” proçkën presidenciale.

Venecia nuk ka thene në asnjë rresht të opinionit të vet, se “Presidenti nuk duhet të shkarkohet, sepse shkelja kushtetuese e tij nuk është shkelje e rende” siç e kanë shpikur mercenarët e Presidentit.

Në opinionin e Venecias thelbi qendron tek prova e shkeljes, jo tek sugjerimi per “tolerance”, që po theksojnë fort gjthë ditën grupi i gatshëm i shtypit i Presidencës.

A thua opinioni i Venecias ka dalë që të shërbejë si “dekret per falje dënimi” për Presidentin, apo eshte “autorizim” që ai dhe Berisha të vazhdojnë të hedhin në erë shtetin, sikurse bënë me zgjedhjet e 30 qershorit?!!!

Per ata qe dinë, apo kanë lirinë të lexojnë opinionin, Venecia nuk ka thënë se shkeljet e Presidentit nuk janë të rënda, sepse ky gjykim nuk mund të jetë veçse gjykim sovran i parlamentit dhe gjykates kushtetuese shqiptare. Që parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese shqiptare ta japin këtë gjykim, ato duhen lejuar të merren me çështjen, të shqyrtojnë shkeljet, t’i çmojnë ato, në kontekstin e zhvillimeve konkrete historike, si dhe te vleresojne saktësisht dhe me baza, rreziqet dhe dëmet që mund t’i vinin rendit kushtetues nga shkeljet presidenciale.

Ka sens të thuhet fjala vjen, që Venecia sugjeron që Parlamenti “ta falë” Presidentin, sepse dëmi qe ai u përpoq te shkaktonte nuk erdhi, zgjedhjet u zhvilluan dhe asgjë e keqe nuk ndodhi. Por Parlamenti dhe gjykata kushtetuese jane te detyruar te analizojnë më thellë dhe me në detaje se kaq.

Presidenti sigurisht që mund të falet, por për këtë të paktën duhet një argument në favor të tij, psh dikush nga Presidenca të thotë se ai u përpoq të korrigjonte “gabimin” që bëri, se “ai ka kontribut në eleminimin e pasojave ndaj rendit kushtetues”, apo se “ai tregoi apo po tregon pendesë të thellë për veprimtarinë e tij kundër rendit kushtetues, aq sa kjo krijon bindjen se ai nuk do të jetë më në të ardhmen kërcënim për interesat kushtetuese të shtetit dhe funksionimin e ligjshëm të institucioneve të tij. Por Ilir Meta aktualisht mbron dhe shkeljen kushtetuese dhe të drejtën për tu falur. Kjo nuk funksionon bahskë kurrë.

Venecia eshte marre vetëm me shkeljen kushtetuese të çdekretimit, jo me historikun e shkeljeve te kushtetutes nga ana Ilir Metes, Presidentit. Ndaj Venecia kujdeset që t’i sugjerojë Parlamentit se, kur të kryejë procedurat e shkarkimit, të ketë kujdes të provojë, se Presidenti është përsëritës në shkelje, sepse kushtetuta kërkon më shumë se një shkelje të rëndë, për të kryer impeachment-in.

Venecia është neutrale në trajtimin e rastit, sikurse është edhe profesionale. Sa kohë që në mandatin e saj, nuk bënin pjesë analiza e konflikteve të hapura me ekzekutivin dhe parlamentin për dekretimin e ministrave, ajo nuk mund të merrej me analizen e tyre.

Por per parlamentin nuk është e vështirë të analizojë nëse mosdekretimi i ministrit të brendshëm, apo mos dekretimin e shkarkimit të ministrit të jashtëm është tejkalim i ngjashëm i kompetencës kushtetuese, sikurse ishte ç’dekretimi i zgjedhjeve, se mosdekretimet e ministrave bëheshin në sintoni me përpjekjet e opozitës për të penguar funksionimin kushtetues dhe ligjor te institucioneve, bëheshin për të sjellë destabilitet kushtetues, apo për të penguar funksionimin normal të qeverisjes, apo jo.

Nese parlamenti gjykon se ngjarjet kanë qenë të ngjashme dhe i kanë shërbyer të njëjtit qëllim politik, atëhere shkelja e rëndë dhe e përsëritur e kushtetutes është provuar, dhe konteksti kushtetues i shkarkimit është ezauruar.

Venecia i sugjeron Parlamentit që të ushtrojë diskrecion në ushtrimin e kompetencës që ka.

Parlamenti mund të provojë shkeljen e rëndë të kushtetutës, por ai ka kompetencë të peshojë midis interesave kushtetuese dhe, nëse gjykon se shkarkimi i presidentit mund te shkaktoje “kapjen” e institucionit nga maxhoranca, atëhere parlamenti mund edhe “ta falë” Metën, sepse kapja e presidentit nga maxhoranca, në kushtet kur ajo ka fituar kaq shume pushtet, mund të bëhet i dëmshëm për sistemin e “checks and balances” të kushtetutës.

Mbrojtja e “checks and balances” mund të jetë një interes më madhor, sesa nevoja për ndëshkimin e presidentit dhunues.

Edhe ky sugjerim racional i Venecias mund të trajtohet vetëm në kontekstin e zhvillimeve historike. “Checks and balances” është vërtet interes madhor kushtetues që mund të “fal” edhe Presidentin dhunues, por falja mund te behet vetem nëse Presidenti, tregon pendesë dhe reflektim të thellë, nëse ai jep garanci publike, se nuk do abuzojë më me kompetencen kushtetuese.

Ne rast të kundërt, parlamenti duhet të vijojë me shkarkimin, sidomos në emër të parimit “checks and balances”. Kontrolli dhe balancimi kanë vlerë vetëm nëse ushtrohen në përputhje me kushtetuten. Po u përdorën në kundërshtim dhe në shkelje te saj, atëhere ato kthehen në armikun më të rrezikshëm të kushtetutës.

Tani qe opinioni i Venecias është bërë publik dhe shkelja e kushtetutës nga Presidenti i Republikës është faktuar, opinioni publik nuk ka nevojë të bëhet viktimë e çoroditjes mediatike. Njerëzit kanë nevojë të dijnë ca të vërteta tepër të thjeshta, jo nga opinionistet, por nga aktoret e çeshtjes:

A është penduar Ilir Meta për shkeljen e rëndë të kushtetutes?

A e pranon që është bërë vegël në një lojë të rrezikshme “për të ndërprerë funksionimin kushtetues dhe ligjor te shtetit”, siç thotë opinioni i Venecias?

A është gati t’u kërkojë falje shqiptarëve dhe të premtojë se nuk do të dhunojë më kushtetutën?

A do ta çojë maxhoranca deri ne fund procedurën e shkarkimit, me transparencë dhe duke dhënë llogari publike për vendimmarrjen e saj? Nese po, a është e gatshme shumica që procedurën e shkarkimit ta zhvilloje në përputhje të plotë me gërmën dhe frymën e kushtetutës, me paanësi, gjakftohtesi, transparencë dhe llogaridhënie?

Nese po, a është ajo e gatshme të japë garanci, se nuk do ta shfrytëzoje vakancën për të kapur edhe këtë institucion?

Nese po, a është e gatshme ajo që të mbështesë kandidaturën që kënaq më mirë parimin “zgjedhim kandidatin qe jep me shume garanci per funksionimin e “cheks and balances”?

Opinioni i Venecias është një ngjarje e madhe për politikën shqiptare, sepse është i kthjellët, i qartë, i drejtpërdrejtë dhe i saktë.

Mos lejoni tua shkaterrojne mercenarët!

Dhe akoma më keq mos lejoni të konsolidohet e drejta e Presidentit për të poshtëruar vendin duke shkelur kushtetutën për një axhendë politike që synoi rrëzimin e rendit kushtetues.