Sot në mbrëmje do të nisë faza më emocionuese e Champions League. Totenhemi do të presë në stadiumin e ri Ajaksin.

Te dyja skuadrat nuk shiheshin favorite në turin e mëparshëm por futbolli shkon përtej milionave apo peshës së emrit. Këtë fakt e vërtetojnë më së miri dy gjysmëfinalistët e sotme të cilat në fushë kanë treguar se dinë të luajnë futboll dhe pa qenë nevoja e të shpenzuarit shuma marramendëse.

Sa i përket statistikave, ‘Spurs’ janë e vetmja skuadër e mbetur në kompeticioni që nuk e ka provuar shijen e finales, teksa në gjysmëfinale kishin mbërritur edhe një herë më parë në sezonin e largët 1961-1962.

Megjithatë, ajo që e shqetëson trajnerin Poçetino është forma që po kalon ekipi, teksa kanë humbur në 3 nga 4 ndeshjet e fundit.

Ndërkohë, mungesës tashmë të njohur të sulmuesit kryesor Herri Kejn, i shtohet edhe koreano-jugori, Jung Min Son i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Por, Totenhemi mund të mbështete tek bilanci pozitiv që ka kundër ekipeve holandeze, ndërsa është mposhtur në vetëm një ndeshje ndaj holandezëve.

Sa i përket Ajaksit, ‘Harkëtarët’ kishin plot 22 vite që nuk arrinin në këtë fazë të Ligës së Kampionëve. Brezi i tanishëm i Ajaksit ka një ngjashmëri të frikshme me lojtarët e fundit që e fituan trofeun në vitin 1995.

Në atë kohë pjesë e organikës së skuadrës ishin Klajvert, Sedorf, Davids Frenk De Bur. Një ekip plot me talente si Ajaksi i sotëm dhe holandezët shpresojnë të përsërisin historinë.

Një aspekt pozitiv është fakti se për Ajaksin nuk përbën asnjë problem të luajë jashtë fushe. E kanë provuar më parë Reali i Madridit dhe Juventusi.

Megjithatë, statistikat përballë anglezëve nuk janë favorizuese në fazën me eliminim direkt, teksa kanë humbur në 4 herët e fundit.

Ndërkaq, Ajaksi mbetet në garë për ‘tripletën’ e titujve, teksa në Holandë është në vendin e parë dhe është në finalen e Kupës.